Shkup – Një aksion i gjerë policor është zhvilluar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për trajtime të dyshuara mjekësore të paligjshme dhe përdorim të preparateve të paregjistruara.
Sipas informacioneve fillestare të publikuara nga mediat vendase, aksioni përfshin mjekë specialistë dhe persona të tjerë të lidhur me disa institucione shëndetësore në Shkup. Ndër të përmendurit janë dermatologë dhe staf mjekësor nga Spitali i Përgjithshëm Qytetar “8 Shtatori”, si dhe nga Klinika e Dermatologjisë, përveç një personi të lidhur me një qendër private estetike.
Burime jozyrtare bëjnë të ditur se gjatë mbrëmjes janë kryer kontrolle në disa lokacione, përfshirë ambiente pune dhe banesa private të personave të dyshuar. Qëllimi i operacionit është mbledhja e provave në lidhje me dyshimet për përdorim të produkteve të paautorizuara në trajtime mjekësore.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të plota mbi rastin, ndërsa pas përfundimit të veprimeve hetimore pritet që një prokuror publik kompetent të vendosë për masat e mëtejshme që mund të kërkohen nga gjykata.
Rasti mbetet në zhvillim dhe priten informacione zyrtare shtesë gjatë orëve në vijim.