Organizatorët e Skopje Pride 2026 njoftuan se e ashtuquajtura “Parada e Krenarisë” së këtij viti do të mbahet më 20 qershor, nën sloganin “Të gjithë le ta dinë / Let Everyone Know”, duke dërguar një mesazh kundër, siç thonë ata, fshirjes sistematike dhe margjinalizimit të komunitetit LGBTIK+.

Në fjalimin me rastin e Muajit të Krenarisë, organizatorët vlerësojnë se personat LGBTIK+ po përballen me rritje të urrejtjes, diskriminimit dhe regresit të të drejtave të fituara më parë, në kushte të pasigurisë politike e shoqërore, jofunksionalitetit institucional dhe rritjes së politikave konservatore.

“Jemi të lodhur, të zhgënjyer dhe të zemëruar, por refuzojmë të pranojmë se jetët tona lejohen vetëm pas dyerve të mbyllura”, theksojnë nga Skopje Pride, duke shtuar se prania e tyre në hapësirën publike mbetet çështje politike.

Sipas organizatorëve, slogani “Të gjithë le ta dinë” është përgjigje ndaj heshtjes dhe shtypjes me të cilën përballen personat LGBTIK+, si dhe mesazh se ata janë pjesë e përditshmërisë, familjeve, miqësive dhe vendeve të punës në shoqëri.

Parada do të nisë në orën 19:00 nga Fontana në Parkun e Qytetit në Shkup, ndërsa grumbullimi i pjesëmarrësve është planifikuar një orë më herët. Marshimi do të kalojë nëpër bulevardet Ilinden, Aradhet Partizane dhe VMRO, si dhe rrugët Rooseveltova dhe Dimitrie Çupovski, ndërsa përfundimi do të jetë në “Parku i Gruas Luftëtare”.

Organizatorët theksojnë se ndryshimi dhe zgjerimi i itinerarit ka edhe simbolikë, me qëllim dërgimin e mesazhit se hapësira publike u përket njësoj të gjithë qytetarëve.

Sa i përket sigurisë, ata thonë se edhe këtë vit janë në koordinim me Ministrinë e Punëve të Brendshme që ngjarja të zhvillohet pa incidente. Njëkohësisht, kanë përcjellë mesazh solidariteti dhe mbështetjeje për të gjithë ata që për herë të parë do të marrin pjesë.