Të dhënat për inflacionin në dhjetor të vitit 2025 tregojnë për stabilitet të presioneve vendore të çmimeve, ndërsa rritja e regjistruar mujore është shpërfytyruar në mënyrë statistikore nga çmimet e transportit ajror, vlerësoi guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, në një postim në X.

Inflacioni mujor në dhjetor 2025, në krahasim me nëntorin, është 0,4 për qind, me ç’rast rritja i referohet vetëm transportit ajror, ku çmimet në periudhën e njëjtë u rritën për 5,8 për qind.

Sllaveski thekson se lëvizja e këtillë është e pazakontë duke pasur parasysh çmimet stabile të derivateve dhe çmimet e pa ndryshuara në transportin publik. Sipas strukturës së indeksit, faktor kyç për rritjen është rritja enorme e çmimeve të transportit ajror, të cilat në dhjetor të vitit të kaluar u rritën madje 42 për qind. Nëse nga përllogaritja e indeksit të çmimeve për dhjetorin 2025 u la anash transporti, përkatësisht transporti ajror si komponent tërësisht i huaj, inflacioni mujor në raport me muajin e kaluar do të ishte saktë 0,0 për qind, thekson guvernatori.

Kjo, thekson Sllaveski, është sinjal i qartë se inflacioni është stabil dhe se ekzistojnë baza më të mira që vitin 2025 ta përfundojmë me shkallë inflacioni nën 3 për qind.

Enti shtetëror i statistikave më 8 janar publikoi se se inflacioni i matur përmes indeksit të shpenzimeve të jetës në dhjetor 2025 në raport me nëntorin 2025 ishte 0,4 për qind.

Indeksi i shpenzimeve për jetë në vitin 2025 në raport me vitin 2024 shënon rritje prej 4,1 për qind, ndërsa indeksi i çmimeve me pakicë prej 3,6 për qind. Lëvizja e indeksit të shpenzimeve për jetë në vitin 2025 dallon tek disa grupe të veçanta të konsumit. Rritje e indeksit është vërejtur në të gjitha grupet: restorante dhe hotele për 7,2 për qind, Rekreacion dhe kulturë për 6,4 për qind, pije alkoolike, duhan dhe narkotikë për 5,9 për qind, ushqim dhe pije joalkoolike për 5,2 për qind, mobilje, amvisëri dhe mirëmbajtje të amvisërisë për 4,6 për qind, mallra të llojllojshme dhe shërbime për 3,7 për qind, veshmbathje, shëndet për 3,1 për qind, banim, ujë elektrikë, gaz dhe derivate të tjera për 1,8 për qind, komunikime për 1,3 për qind, transport për 0,8 për qind dhe arsim për 0,1 për qind.

ESHS sqaroi se rritja e inflacionit në dhjetor 2025 në raport me nëntorin 2025 është rezultat i rritjes së shpenzimeve për jetë në grupet: Transporti për 5,8 për qind, Rekreacioni dhe kultura për 0,8 për qind, Shëndeti për 0,7 për qind, mobiljet, amvisëria dhe mirëmbajtja e amvisërisë për 0,5 për qind, Restorante dhe hotele për 0,4 për qind, banimi, uji, elektrika, gazi dhe derivate të tjera për 0,2 për qind, Mallra të llojllojshme dhe shërbime, Pije alkoolike, duhani dhe narkotikët për 0,1 për qind.

Në dhjetor 2025 në raport me nëntorin 2025 ulje të shpenzimeve për jetë ka në grupet: Ushqimi dhe pijet joalkoolike për 0,4 për qind dhe Veshmbathje për 0,2 për qind, ndërsa në Arsim dhe Komunikime kanë mbetur në nivel të njëjtë si në muajin e kaluar.