Sllovenia po përgatit një projektligj që synon ndalimin e aksesit në rrjetet sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç. Lajmi u bë i ditur nga zëvendëskryeministri slloven, Matej Arkon, gjatë një konference për shtyp të mbajtur të martën.

Me rreth 2 milionë banorë, Sllovenia po ndjek shembullin e Spanjës dhe disa vendeve të tjera evropiane, të cilat kanë propozuar masa më të rrepta ndaj përdorimit të mediave sociale nga të miturit. Këto iniciativa vijnë mes shqetësimeve në rritje se platformat digjitale janë të dizajnuara për të krijuar varësi dhe mund të kenë ndikim negativ te fëmijët dhe adoleshentët.

Sipas Arkonit, iniciativa është marrë nga Ministria e Arsimit, e cila po mbështetet në përvojat e vendeve të tjera. Në hartimin e projektligjit do të përfshihen edhe ekspertë të arsimit dhe të teknologjisë digjitale, me qëllim mbrojtjen e mirëqenies dhe zhvillimit të shëndetshëm të të rinjve.

“Ka qenë një çështje shumë e nxehtë në mbarë botën dhe në Evropë në javët dhe muajt e fundit. Me këtë hap, ne si qeveri po tregojmë se kujdesemi për fëmijët tanë”, deklaroi Arkon pas mbledhjes së kabinetit qeveritar.

Ai theksoi se synimi i qeverisë është rregullimi i rrjeteve sociale ku shpërndahet përmbajtje, duke përmendur platforma si TikTok, Snapchat dhe Instagram.

Projektligji pritet të hapë debat të gjerë publik në Slloveni dhe të jetë pjesë e përpjekjeve më të gjera evropiane për kontroll më të madh të hapësirës digjitale dhe mbrojtje të të miturve online.