Qytetarëve vazhdojnë t’u shkojnë porosi sms nga numra të çuditshëm me prefikse të jashtme për gjoja shkelje në trafik, duke iu referuar “Safe City”. Madje, shumë prej tyre kanë rënë pre e mashtrimeve duke proceduar me pagesat online në sisteme të rrejshme nga shtetet e huaja. Kjo ka shqetësuar qytetarët, të cilët edhe kur “bien” në radar paguajnë fizikisht nëpër stacionet policore. Por, Ministri brendshëm tha se nuk duhet t’u përgjigjen porosive sms që vijnë me prefikse të huaja, pasi që sipas Toshkovskit nga numrat vendor nuk mund të ndodhin mashtrime të tilla të komunikimit elektronik.

“Të gjitha sulmet që i kemi pasur deri më tani kanë ndodhur nga shtete e huaja, nuk mund të ketë një mashtrim të tillë të ashtuquajtur ‘fishing” sulmeve nga numra vendorë. Kjo është një arsye e mirë se si qytetarët e Maqedonisë mund t’i njohin këto sulme të rreme, gjë e cila ndodh kudo nëpër botë. Ata që kryejnë mashtrime shikojnë çdo kënd të gjejnë hapësirë për vjedhje për komunikimeve elektronike”, tha Toshkovski.

Në njërin nga operatorët privat thonë se nuk ka pasur ankesa të qytetarëve, ndërkaq, në redaksinë tonë dhe në rrjetet sociale ka postime pafund të porosive sms që u kërkohen të dhënat personale dhe ato bankare për të realizuar kinse pagesën e gjobës së kapur nga “Safe City” në Maqedoninë e Veirut. Të gjitha këto u thanë në fushatën sensibilizuese të policisë dhe operatorit të kompanisë celulare “A1” gjatë ngasjes së automjeteve sigurt pa përdorim të pajisjeve elektronike, tha drejtori Metodija Mirçev.

“Sinqerisht nuk kemi informacione se kanë ndodhur, por mund të kontaktojmë me ekipin tonë që punon në këtë problematikë dhe do mbetemi në kontakt. Sinqerisht nuk kam informacion që arrijnë sms-porosi tek konsumatorët tanë. Ne kemi sistem që përdorim për atë lloj të ‘fishing’ sulmeve që u përmendën, absolutisht duhet të shikojmë sepse sinqerisht nuk kemi pasur ankesa të tilla nga konsumatorët tanë për këso lloj mashtrimesh”, tha Mirçev.

Përndryshe, ministri Toshkovski deklaroi se sistemi “Safe City” do të zgjerohet ndjeshëm dhe do të mbulojë një gamë më të gjerë shkeljesh të trafikut në të ardhmen. Sipas tij, sistemi nuk kufizohet më vetëm në kapjen e shpejtësisë, kalimi në të kuqen apo skadimi i regjistrimit të makinës, por përdoret edhe për të përcaktuar lloje të tjera shkeljesh si ndërrimi i gabuar i korsisë, kthesat e gabuara dhe për parkim të palejuar. Përveç kësaj, Toshkovski njoftoi kontrolle dhe dënime më të rrepta për ata që ngasin ilegalisht motoçikleta në periudhën pranverë-verë dhe përpiqen të shmangin kamerat e “Safe City”.