Snopçe akuzon qeverinë për diskriminim kulturor dhe arsimor ndaj shqiptarëve

Deputeti Halil Snopçe ka akuzuar qeverinë për një qasje selektive dhe diskriminuese ndaj shqiptarëve, duke theksuar se institucionet reagojnë vetëm kur u konvenon politikisht.

Sipas tij, kryeministri shpesh shmang përgjegjësinë për çështje të ndjeshme, siç ishte rasti me brohoritjet antishqiptare nga tifozët në Kumanovë, ndërsa në situata të tjera del me deklarata të forta publike.

Snopçe ngriti shqetësimin edhe për ndërprerjen e financimit të projekteve kulturore, duke përmendur Festivalin ndërkombëtar “Othello”, i cili pas nëntë vitesh organizim nuk mori mbështetje këtë vit, si dhe projektin muzikor “Dalee & Friends”, që gjithashtu mbeti pa përkrahje. Sipas tij, këto aktivitete kishin rëndësi të veçantë për jetën kulturore në Gostivar dhe rajonin e Pollogut.

Ai shtroi pyetje publike mbi arsyet e ndërprerjes së financimit, duke e cilësuar këtë si një formë të mundshme diskriminimi kulturor ndaj shqiptarëve.

Në fushën e arsimit, deputeti kritikoi propozim-ligjin për arsimin e lartë, për të cilin tha se synon dobësimin e universiteteve shqiptare. Po ashtu, ai ngriti shqetësime për arsimin e mesëm, duke theksuar mungesën e kuadrit shqiptar dhe rrezikun e mbylljes së shkollave teknike, pa një strategji konkrete nga ana e qeverisë.

Sipas Snopçes, këto zhvillime tregojnë një zinxhir të qartë problematikash që përfshijnë kulturën, arsimin dhe sportin, ndërsa së fundmi edhe infrastrukturën, duke përmendur çështjet rreth Korridori 8.

“Kjo nuk është më rastësi, por një drejtim i vetëdijshëm politik që dëmton shqiptarët dhe perspektivën e tyre në vend”, ka deklaruar ai.