Sofja duhet të vendosë nëse do ta pranojë propozimin e kryeministrit Mickoski për një rezolutë të përbashkët me Bullgarinë para Parlamentit Evropian, për të konfirmuar identitetin dhe gjuhën maqedonase. Ministri Mucunski theksoi se edhe pse nuk është në formë zyrtare, propozimi ka arritur në Sofje, sepse ka qenë temë kryesore në mediat bullgare.
“Dhe për këtë arsye, tani Sofja është në radhë. Të tregojë nëse do të ecim përpara në shekullin XXI, apo do të mbeten në retorikën e shekullit XIX. Dua të besoj në arsyen, dua të besoj në progresin e Sofjes. E di që janë vendime të vështira, por për këtë jemi zgjedhur – për të marrë vendime të vështira. Mundësia është në anën e Sofjes për të treguar se do të qëndrojë në anën e përparimit”, tha Timço Mucunski, ministër për Punë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme.
Kryeministri sqaroi se propozimi ishte një përgjigje ndaj temës që e hapi presidenti bullgar Radev, sipas të cilit, për Maqedoninë nuk ka më kushte, përveç ndryshimit të kushtetutës dhe përfshirjes së bullgarëve në të.
“Bashkë, përmes eurodeputetëve bullgarë, të propozojmë një rezolutë, me të cilën si fqinjë do të konfirmojmë identitetin dhe gjuhën e veçantë maqedonase. Pastaj, si shenjë vullneti të mirë, shteti bullgar të zbatojë vendimet e Gjykatës së Strasburgut për të drejtat e njeriut që u janë mohuar maqedonasve në Bullgari – të regjistrojë më në fund OBM Ilinden Pirin, që kjo organizatë të mund të propozojë përfaqësuesin e vet në Këshillin Ministror për të Drejtat e Pakicave në Bullgari”, theksoi Hristijan Mickoski, krzeministër.
Bota akademike reagoi ashpër ndaj propozimit të kryeministrit Mickoski. Katica Çulavkova, anëtare e ASHAM, e cilësoi këtë propozim si një “rulet rus” për Maqedoninë, pasi sipas saj, gjuha maqedonase është tashmë fakt i njohur në shkencë, politikë dhe kulturë. Ministri Mucunski, megjithatë, me mesazh që bota akademike duhet të jetë e vetëdijshme për realitetin politik.
“Bota akademike – në të cilën bëj pjesë edhe unë – duhet ndonjëherë të jetë e vetëdijshme për realitetin politik. Realiteti politik është që fqinji ynë, pavarësisht fakteve të pamohueshme, e mohon identitetin tonë, historinë tonë dhe gjuhën tonë. Dhe kjo për ne përbën jo vetëm rrezik, por edhe pengesë. Çfarë themi ne me këtë iniciativë të kryeministrit? Le të japim një gjest, një shenjë, një iniciativë për ta eliminuar këtë pengesë”, deklaroi Timço Mucunski, ministër për Punë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme.
Mucunski tha se një ekip ekspertësh po punon mbi rekomandimet për planin e veprimit, të marra nga ekspertët e Këshillit të Evropës. Sipas tij, versioni i ri i planit, në përputhje me këto rekomandime, pritet të dorëzohet në Bruksel deri në fund të verës.
