Champions luan sonte në orën 21:00 aktet e fundit të fazës së ligës, dhe si asnjëherë më parë kontinenti do të shohë në fushë 18 ndeshje në të njëjtën kohë, maratonë sportive e cila do të jetë e tillë edhe në Vizion Plus dhe Tring, pasi do të transmetohen 9 ndeshje njëkohësisht.
Janë në lojë edhe shumë bileta të kualifikimit direkt për në fazën e 1/8, sikurse duhet ende të saktësohen edhe skuadrat që do të luajnë duelet e Play Off.
Champions i këtij sezoni është në vitin e parë të një ndryshimi epokal, ku luhet një minikampionat me 36 ekipe në një renditje të vetme. Në fund të 8 ndeshjeve, katër brenda dhe 4 jashtë me kundërshtarë të ndryshëm, diferencën e bëjnë pikët. 8 ekipet e para në renditje shkojnë direkt në fazën tjetër ndërsa 8 ekipet e tjera do të dalin nga përplasjet me sistem vajtje-ardhje në Play Off mes ekipeve që do të renditen nga vendi i 9 në vendin e 24.
Deri tani biletat për në fazën tjetër i kanë prerë dy ekipet që kryesojnë Liverpuli dhe Barcelona, për të cilat ndeshjet e sotme janë një shëtitje. Mirëpo në Katalonjë, nëse Barcelona nuk ka shumë interes, ndryshe mund të thuhet për Atalantën e Berat Gjimshitit e cila duhet vetëm të fitojë që të kapë kualifikimin direkt, ndryshe do të përfundojë në Play Off.
Domosdoshmëri për fitore kanë edhe kuqezinjtë e Milanit të cilët shkojnë në Kroaci kundër Dinamos së Zagrebit, që drejtohet nga Fabio Kanavaro. Kualifikimi në fazën tjetër është objektivi më minimal i sezonit në Evropë për Milanin që emergjencën më të madhe e ka në mbrojtje në takimin e sotëm. Do të jetë ndeshje impenjative për kuqezinjtë pasi Dinamo Zagreb ka ende një shans për të kapur Play Off-in nëse fiton sonte.
Ndryshe diskutimi për Interin që pret në shtëpi Monacon. Zikaltërit do të ishin matematikisht të sigurt në fazën tjetër direkt nëse marrin qoftë një pikë sonte, ndonëse edhe me një humbje minimale për shkak të golavarazhit më të mirë mund t’ia dalin. Në fushë nga minuta e parë do të jetë Kristjan Asllani. Ekipe të tjera që e kanë vetë në dorë fatin e dytë janë Arsenal, që mund të mjaftohet me vetëm një pikë në Spanjë kundër Xhironës, por edhe Atletiko Madrid dhe Leverkusen që kanë nevojë të fitojnë kundër Salzburgut apo Spartës së Pragës.
Ekipet e tjera që vijnë pas vendit të 9 janë Monaco, Fejeniord, Aston Vila, Lillë dhe Brest, të cilët shpresojnë tek gabimet e rivalëve më sipër për të tentuar mrekullinë. Më pak shanse për klubet e mëdha të Evropës, Real Madrid, Bajern dhe Juventus. Të treja ekipet edhe nëse fitojnë sonte janë të destinuara të luajnë në Play Off. Ndërkohë dy ekipet e tjera të mëdha PSG dhe Manchester City duhet të fitojnë që të jenë të paktën në Play Off.
Duelet ku luajnë emrat e rëndësishëm si Barcelona, Real, Inter, Milan, Manchester City, Juventus, PSG, Liverpul përcillen si asnjëherë tjetër në 8 kanale Tring, ndërsa Bayern Slovan Bratislava transmetohet në Vizion Plus në orën 21:00./Vizion Plus/
