Sot në orën 18:00, në stadiumin “Air Albania”, Kombëtarja shqiptare do të përballet me Anglinë në ndeshjen e fundit të Grupit K për kualifikueset e Kupës së Botës 2026.

Anglia kryeson grupin me 21 pikë, ndërsa Shqipëria renditet e dyta me 14 pikë, katër më shumë se Serbia e vendit të tretë, e cila tashmë është eliminuar. Për kuqezinjtë, sfida e sotme shërben si përgatitje për fazën e play-off-it të Botërorit, ndërsa Anglia ka siguruar kualifikimin direkt, si e para e grupit.

Historia e përballjeve mes dy skuadrave favorizon anglezët, të cilët kanë fituar të gjitha 7 ndeshjet e mëparshme me një golavarazh total prej 21-1. Megjithatë, Shqipëria vjen në këtë takim me moral të lartë, pas një serie historike prej pesë fitoreve radhazi, përfshirë sukseset ndaj Gjibraltarit, Letonisë, Serbisë, Jordanisë dhe Andorrës.

Kuqezinjtë nuk kanë humbur që nga 21 marsi, kur u mposhtën nga Anglia në Londër, duke regjistruar tetë ndeshje radhazi pa humbje, me gjashtë fitore dhe dy barazime, dhe një golavarazh 8-2 në pesë ndeshjet e fundit.