Dhjetëra mijëra qytetarë kanë dalë në rrugët e Spanjës në kuadër të një greve të përgjithshme, e para në vend pas 14 vitesh. Protestat u organizuan nga sindikatat kryesore dhe kishin në fokus krizën e strehimit, rritjen e çmimeve dhe vështirësitë ekonomike të familjeve spanjolle.
Pjesëmarrja më e madhe u regjistrua në Madrid dhe Barcelonë. Sipas të dhënave të raportuara, rreth 120 mijë persona protestuan në kryeqytet, ndërsa mbi 50 mijë të tjerë u mblodhën në Barcelonë.
Megjithatë, në Barcelonë situata u përshkallëzua gjatë mbrëmjes, kur protestues të maskuar u përplasën me policinë. Ata dogjën kosha mbeturinash, dëmtuan vitrina të bizneseve dhe shkaktuan zjarre në disa rrugë. Forcat e rendit ndërhynë me gaz lotsjellës, ndërsa në terren u angazhuan njësi të pajisura për menaxhimin e trazirave.
Incidentet u përqendruan kryesisht në zonën e Passeig de Gràcia dhe pranë sheshit Plaça de Catalunya. Sipas mediave spanjolle, ndaj policisë u hodhën edhe fishekzjarrë, ndërsa gjatë kaosit pati plaçkitje të dyqaneve.
Greva shkaktoi ndërprerje edhe në transportin publik dhe shërbimet e tjera. Në Madrid dhe Barcelonë u bllokuan disa akse kryesore rrugore, ndërsa Ministria e Brendshme njoftoi se dhjetëra persona përfunduan në pranga për përfshirje në incidente të ndryshme.
Pavarësisht tensioneve, sindikatat e cilësuan protestën të suksesshme. Kreu i UGT-së, Pepe Álvarez, e përshkroi pjesëmarrjen si masive, ndërsa përfaqësuesi i CC OO-së, Unai Sordo, vlerësoi se numri i protestuesve ishte shumë i konsiderueshëm.
Pakënaqësia e qytetarëve lidhet kryesisht me rritjen e kostos së jetesës dhe pamundësinë për të përballuar çmimet e banesave. Një prej rasteve që ka nxitur reagime është ai i Maricarmen Abascal, 87-vjeçares që u dëbua nga apartamenti në Madrid, ku kishte jetuar për rreth 70 vjet. Ajo ndërroi jetë në spital disa javë pas dëbimit.
Sipas portalit të pasurive të paluajtshme Idealista, në muajin tetor qiraja mesatare për një apartament prej 50 metrash katrorë në Madrid arriti në rreth 1.170 euro. Ndërkohë, paga mesatare mujore bruto në Spanjë vlerësohet në rreth 2.460 euro. Kjo nënkupton se qiraja mund të marrë afro gjysmën e pagës mesatare bruto.
Në sfondin e pakënaqësisë sociale është shtuar edhe tensioni politik, pas vendimit të kryeministrit Pedro Sánchez për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, pasi parlamenti nuk arriti të miratonte planin e tij për reformën në sektorin e strehimit. Zgjedhjet janë paraparë të mbahen më 29 nëntor.
Greva e fundit shënon protestën e parë të përgjithshme në Spanjë që nga viti 2012, kur vendi drejtohej nga Mariano Rajoy.
