Mbi 5 mijë vdekje të lidhura me temperaturat e larta janë regjistruar në Spanjë nga 1 qershori deri më 31 gusht, duke shënuar shifrën më të lartë për këtë periudhë që nga viti 2015, kur nisën të mblidhen këto të dhëna.

Sipas Institutit shëndetësor “Carlos III”, 2 149 vdekje janë regjistruar në gusht, 2 025 në korrik dhe 937 në qershor, për një total prej 5 111 viktimash. Rekordi i mëparshëm ishte në vitin 2022, me 4 652 vdekje të lidhura me të nxehtin.

Të dhënat bazohen në sistemin “MoMo”, i cili krahason numrin e vdekjeve të regjistruara me nivelin e pritshëm bazuar në të dhënat historike. Spanja këtë verë është përballur me disa valë të njëpasnjëshme të të nxehtit dhe temperatura jashtëzakonisht të larta.