Gazetare: Fatlume Dervishi

Tensionet në kufirin mes Spanjës dhe Marokut janë ulur pas një prej valëve më të mëdha të migrimit të regjistruara ndonjëherë në enklavën spanjolle të Ceutës, në Afrikën e Veriut.
Autoritetet spanjolle bëjnë të ditur se rreth 50 mijë persona kanë kaluar kufirin tokësor dhe detar drejt Ceutës që nga e enjtja. Shumica prej tyre, rreth 48 mijë e 300 persona, janë kthyer vullnetarisht në Marok brenda 48 orëve.

Por vala masive e kalimeve ka lënë pas një bilanc tragjik. Të paktën 67 persona kanë humbur jetën, pasi disa migrantë u mbytën në det, ndërsa të tjerë u shtypën gjatë përpjekjeve për të kaluar barrierat kufitare. Autoritetet paralajmërojnë se numri i viktimave mund të jetë edhe më i lartë, pasi besohet se ka viktima edhe në anën marokene të kufirit.Pas ndërprerjes së kalimeve gjatë natës, Spanja ka nisur forcimin e kontrollit në zonën e Tarajals. Garda Civile ka filluar vendosjen e një barriere lundruese rreth 500 metra të gjatë, në një nga pikat kryesore të përdorura nga migrantët për të hyrë në territorin spanjoll.

Barriera pneumatike do të ngrihet disa dhjetëra centimetra mbi sipërfaqen e ujit dhe do të shtrihet edhe nën të. Krahas saj do të vendosen bova detare të ankoruara, ndërsa një kanal mes barrierave do t’u mundësojë anijeve të Gardës Civile të patrullojnë zonën.

Kriza ka shkaktuar përplasje edhe brenda Bashkimit Evropian. Një grup prej 22 qeverish të vendeve anëtare i kanë kërkuar Irlandës, e cila mban presidencën e radhës të BE-së, thirrjen urgjente të një takimi të ministrave të Brendshëm. Vendet kërkojnë një përgjigje të koordinuar evropiane, përfshirë mbështetje shtesë nga agjencia evropiane e kufijve, Frontex, si dhe rishikimin e bashkëpunimit me Marokun.

Edhe kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, ka kërkuar një takim urgjent të ministrave të Brendshëm të BE-së. Ai ka kritikuar ndërkohë reagimet që, sipas tij, janë polarizuese dhe në kundërshtim me frymën evropiane. Për Madridin, kontrolli i kufirit mbetet tashmë prioritet, ndërsa kriza e Ceutës ka rikthyer në qendër të debatit evropian çështjen e migracionit dhe sigurisë së kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian./Alsat.mk.

The post Spanjë kthehen në Marok migrantët ilegal appeared first on Alsat.