Spiropali viziton Komunën Çair: Përfaqësimi politik shqiptar, kyç për avancimin e agjendës evropiane

Në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Maqedoninë e Veriut, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, u ndal në Komunën Çair, ku zhvilloi një takim me Kryetarin e Komunës dhe Kryetarin e Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti.

Gjatë takimit, Spiropali diskutoi mbi rolin që përfaqësimi politik shqiptar mund dhe duhet të ketë në zhvillimin e qëndrueshëm, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe avancimin e agjendës evropiane.

Ministrja nënvizoi se një pushtet vendor i fortë, me kompetenca reale dhe decentralizim funksional, është themel për një qeverisje lokale cilësore dhe për afrimin e standardeve evropiane në jetën e përditshme të qytetarëve.

Në një publikim në media sociale, Spiropali thekson: “Në Çair, një komunë me vlera historike, bisedë e hapur me Kryetarin e Komunës dhe Kryetarin e Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, mbi rolin që përfaqësimi politik shqiptar mund dhe duhet të luajë në zhvillimin e qëndrueshëm, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe avancimin e agjendës evropiane”.