Me disa lopata çimento të hedhura në mënyrë simbolike, u vu gurthemeli i stadiumit ndihmës të Haraçinës. Këtu pritet të jetë një stadium ndihmës për stërvitjet e Klubit të Futbollit “Shkëndija” përfshirë objektin e zhveshtoreve. Në 10 hektarë pronë publike të urbanizuar nga komuna e Haraçinës për sportdashësit e kësaj zone, në një tjetër projekt është paraparë qendra sportive edhe për basketboll dhe hendboll, por edhe stadiumi kryesorë me tribuna që do të plotësoj standardet e UEFA-s.
“Për stadiumin ndihmës mjetet i kemi siguruar nga ana e komunës, por nga Ministria e sportit presim mbështetje për ndërtimin e tribunave. Ne si komunë kemi siguruar mjetet për ndërtimin e fushës dhe të zhveshtores. Përafërsisht për 2-3 muaj nëse shkon puna si duhet, varet dhe nga kushtet klimatike, stadiumin do ta kemi në dispozicion dhe ekipi ynë i zemrës mund ti zhvilloj stërvitjet këtu”, tha Daut Beqiri – kryetar i Komunës së Haraçinës.
“Po fillojnë punimet për ndërtimin e stadiumit ndihmës Ne si ministri e Sportit do të qëndrojmë pran kryetarit të Komunës, pran sportistëve të Haraçinës, do të mbështesim dhe d të japim kontributin tonë që ky stadium sa më shpejtë të vihet në funksion dhe të jetë në shërbim të sportistëve”, u shpreh Safije Sadiku-Shahini – zëvendësministre e Sportit.
Trajneri i klubit shpreson që stërvitjet e pranverës t’i bëjnë në këtë stadium të ri. Ai iu bën thirrje edhe autoriteteve që të sigurojnë mjete edhe për ndërtimin e stadiumit kryesor ku të luhen ndeshjet nikoqire.
“Për momentin stërvitjet jemi duke i zhvilluar në stadiumin e Maxharit në “Boris Trajkovski” edhe pse atje kushtet janë të mira, por ndryshe është kur ke një stadium tënd, kur ke bazën ku mund të organizohesh edhe më mirë se sa që jemi për momentin. Shpresojmë që edhe kushtet për stadiumin kryesorë do të ofrohen sa më shpejtë dhe Shkëndija e Haraçinës t’i zhvilloj ndeshjet vendase këtu”, potencoi Berat Imeri – trajner i K.F. “Shkëndija” – Haraçinë.
Ky projekt do të kushtoj 34 milionë e 500 mijë denarë ose rreth 560 mijë euro. Përndryshe, klubi Shkëndija është themeluar para 50 vitesh, ndërsa sivjet po garon në ligën e parë të Maqedonisë.
