Këshilli Penal i Gjykatës Themelore në Shkup e ka pranuar kërkesën për garanci të të dyshuarit Stefan Bogoev dhe e ka shfuqizuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, transmeton TV21.
I dyshuari ka depozituar garanci prej 55.000 eurosh në kundërvlerë në denarë, me çka sigurohet prania e tij në procedurën e mëtejshme.
Përveç kësaj, gjykata i ka caktuar masa kujdesi, mes të cilave marrjen e pasaportës dhe ndalimin e largimit nga vendi.
Nëse nuk i respekton masat, gjykata mund të caktojë sërish masa më të rrepta për sigurimin e pranisë.
Bogoev u arrestua javën e kaluar dhe me kërkesë të Prokurorisë iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Ai, si ish-drejtor i Drejtorisë së Doganave dhe edhe tre persona të tjerë, dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Prokuroria njoftoi se ekziston dyshim i bazuar se në periudhën nga korriku 2023 deri në mars 2024, të dyshuarit kanë manipuluar procedurën e dhënies së kontratave për prokurim publik për mirëmbajtje të jashtme të higjienës në pikat kufitare dhe terminale, duke favorizuar një operator ekonomik dhe duke kufizuar konkurrencën./TV21
