Presidenti francez, Emmanuel Macron, gjatë vizitës së tij në Meksikë u shpreh se xhevahiret e vjedhura nga muzeu i Luvrit do të rikuperohen dhe u zotua të rishikojë sigurinë e muzeut në Paris. Ai njoftoi se autoritetet kanë nisur arrestimin e disa pjesëtarëve të bandës përgjegjëse për vjedhjen.
“Xhevahiret do të gjenden, autorët do të arrestohen dhe do të gjykohen”, deklaroi Macron.
Duke folur për vjedhjen e muzeut, presidenti theksoi se incidenti përbën një mundësi për të dalë më të fortë dhe e quajti ngjarjen një tronditje për të gjithë botën.
Më 19 tetor, hajdutët hynë në muzeun e Luvrit dhe vodhën disa bizhuteri me vlerë 88 milionë euro, të cilat ende nuk janë gjetur. Aktualisht, katër të dyshuar janë në paraburgim dhe ndaj tyre janë ngritur akuza.
Gjykata e Auditorëve ka kritikuar ashpër menaxhimin e muzeut në vitet e fundit, duke theksuar se Luvri ka lënë pas dore sigurinë në favor të promovimit të veprave të tij më prestigjioze.

