Shkup, 28 tetor – Spitalet modulare në Strugë dhe Ohër do të rikthehen në funksion. Nga Spitali i Përgjithshëm në Ohër thonë se fillimisht do të bëhet sanimi, pastaj vënia sa më shpejt e tij në funksion. Bëhet fjalë për një objekt me sipërfaqe prej 690 m², ku do të zhvendosen disa nga repartet ambulatore.

“Megjithatë, këtu përballemi pak me probleme administrative, sepse ai figuron si objekt i përkohshëm, e jo si objekt i përhershëm dhe unë jam tashmë në fazë të avancuar së bashku me Komunën e Ohrit, për t’i tejkaluar ato pengesa administrative, që të mund ta sanojmë dhe ta vëmë në përdorim. Përdorimi do të jetë për pjesën administrative me pjesën ambulatore”, Goran Markoski – Drejtor i Spitalit të Përgjithshëm Ohër.

Duke pritur të rikthehet në funksion, spitali modular në Strugë për disa vite është përdorur si vend për grumbullimin e pajisjeve të vjetra të Spitalit.

“Tani qëndron bosh. Të gjitha mbeturinat nga spitali, hekra të vjetër dhe krevate, rëntgen të prishur ishin të shpërndarë aty. Shërbimi im teknik e rregulloi këtë dhe në atë hapësirë të bukur do ta zhvendosim një pjesë të repartit infektiv, që të ketë disa krevate për pacientët më urgjentë, nga ana tjetër do të jetë hyrja për spitalin ditor intern dhe për procedurat endoskopike, ku nevojitet më shumë hapësirë”, tha Vllado Bunçeski – Drejtor i Spitalit të Përgjithshëm Strugë.

Bunçeski thotë se kanë përgatitur një elaborat për ndërrim të plotë të instalimit elektrik, por për këtë u nevojiten më shumë para që nuk mund t’i sigurojnë vetë, si dhe një sanim më i vogël i çatisë, i cili ka kondensuar. Nga 18 spitale modulare të ndërtuara, vetëm 3 janë në funksion. /Alsat/