U bë një vit nga qeverisja e Mendi Qyrës me Komunën e Strugës. Për këtë vit Qyra përmendi se ka realizuar shumë projekte si rrugë, rrugica, kanalizime dhe pagesën e borxhit të Komunës prej 2,5 milionë eurove.
Megjithatë, Struga vazhdon të ketë problem me ujin për pije, një problem i vjetër, por ende pa zgjidhje. Qyra promovoi se ka ndërtuar disa kanalizime nëpër disa fshatra, por për problemin me ujin tha se do kohë.
Drejtori i Ndërmarrjes Komunale të Ujësjellësit në Strugë tha se së shpejti me vendim të Komisionit Rregullator do të shtrenjtohet uji, ndërkaq për situatën me ujin tha se: “Problemi filloi në fund të shtatorit, në fillim të tetorit dhe tani na zuri edhe nëntori, njerëzit janë të koordinuar se në cilën pjesë të qytetit të bëjmë restrikcione dhe në cilën kohë që të nesërmen të kemi ujë. Situata po tejkalohet me reshjet e para dhe lumi i Belicës ka rritje të ujit, megjithatë burimi në Shumë ende është dobët”.
Qyra premtoi se kjo situatë me ujin do të zgjidhet, megjithatë tha se nuk mund të zgjidhet për një kohë të shkurtër.
