Strugën e fitoi kandidat i pavarur Mendi Qyra me diference 537 vota ndaj kundër kandidatit të AKI Arsim Dalipi.
Qyra mori 12,490 vota, ndërsa Dalipi 11,953 vota.
Mbrëmë pas mbylljes së vendvotimeve te shtabi i Qyrës u mblodhën simpatizantët për të festuar.

Kryetari Qyra u zotua se do të përmbush premtimet e dhëna në 5 shtylla për mandatin e marrë.

“Falënderojmë përkrahësit, koalicionin qeveritar, falënderoj të gjithë qytetarët, të cilët u angazhuan për punën dhe rezultatin që dhamë. Shpresoj që do të futemi në histori, siç filluam me ndryshim, do të futemi në histori me sukseset katër vjeçare që të mbahet mend për 30 vjet historia e këtij mandati”, tha Qyra.

Sikurse Qyra ashtu edhe kandidati Dalipi falënderuan mërgimtarët, të cilët udhëtuan posaçërisht për të ushtruar të drejtën e tyre demokratike në vendlindjen. Kandidati i AKI-së për Strugën i uroi fitore Qyrës.

“Faleminderit për 11.953 vota! Ne korrëm një fitore të thellë në mbi 90% të vendbanimeve me shumicë shqiptare, por nuk mjaftoi që të arrihet qëllimi përfundimtar. I uroj fitoren kundër kandidatit Mendi Qyra dhe shpreh dëshirën që të punojë për të mirën e qytetit tonë, Strugës”, tha Dalipi.

Në 101 vendvotimet, ku me të drejtë vote ishin 62,711 qytetarë dalja ishte 40,93% përkatësisht dje dolën për të votuar 25,665 qytetarë. Sipas KSHZ-së 1,222 vota të pavlefshme kishte në Strugë. Qyra do të zëvendësoj kryetarin e BDI-së në largim Ramiz Merkon, i cili ishte në krye të qytetit për 4 mandate.