Gazetar: Miki Trajkovski
Nga çezmat e Struganëve prej ditësh rrjedh baltë, ujë i turbullt disa herë mbi të lejuarën. Ndalimi për përdorimin e ujit i ka detyruar qytetarët dhe bizneset të blejnë ujë nga marketet për të plotësuar nevojat bazë për pije dhe higjienë personale. Ata pyesin kush do t’ua kompensojë shpenzimet për blerjen e disa litrave çdo ditë.
„Furnizohemi nga dyqanet dhe marketet për larje, për brumë, për klientët. Kjo na krijon shpenzime shtesë. Na e vështirëson punën, sepse duhet të punësosh një njeri vetëm për të shkuar nëpër dyqane të sjellë ujë, dy-tri orë të vrapojë pas ujit, kur s’ka ujë nuk mund të punojmë asgjë,“ tha Reshad Beadini – biznesmen.
Banorët e fshatit Shum, siç ka raportuar tashmë Alsati, përmes një peticioni drejtuar institucioneve kërkojnë zgjidhje të menjëhershme të problemit. Në të kundërtën paralajmërojnë organizimin e protestave, ndërsa tashmë kanë kontaktuar edhe me mërgimtarët për mbështetje.
„Është e domosdoshme të merret përgjegjësi dhe të përcaktohet kush e ka dhënë tenderin për punën e gurthyesit. Po ashtu, duhet të shqyrtohet mundësia e largimit të tij nga ai lokacion dhe menjëherë të ndalen minimet e mëtejshme. Brenda një rrezeje prej një kilometri, ku ka burime nëntokësore, nuk duhet të ketë asnjë minim, sepse mund të sjellë pasoja të tilla. Është e mundur që uji të ndryshojë drejtimin dhe të shkojë në vend tjetër,“ u shpreh një qytetar.
Një javë të tërë struganët janë lënë vetëm të sigurojnë ujë të pijshëm, ndërsa institucionet kërkojnë shkaqet e ndotjes së ujit. Prokuroria hapi lëndë për ndotjen e ujit, për të hetuar shkaqet dhe eventualisht veprat penale kundër mjedisit jetësor dhe natyrës. /alsat.mk
The post STRUGË / Bizneset ankohen se pësojnë humbje të mëdha për shkak se uji për pije është i papërdorshëm appeared first on Alsat.
