Një ditë para protestës së studentëve shqiptarë, përmes së cilës, siç është paralajmëruar, do të shprehin pakënaqësinë për moszbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve në dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, ka një varg reagimesh në opinion dhe në rrjetet sociale. Për Kryeministrin Hristijan Mickoski, kjo protestë po mbështetet nga një parti e cila, sipas tij, nuk e ka zgjidhur këtë problem për më shumë se dy dekada. Ai theksoi se çështja lidhet edhe me sfida ligjore dhe kushtetuese, përfshirë rekomandimet e Komisionit të Venecias për përdorimin e gjuhëve në gjyqësor. Megjithatë, siguroi se qeveria po punon për një zgjidhje në përputhje me standardet ndërkombëtare, duke u bërë thirrje studentëve të mos manipulohen për qëllime politike.

 “E dini se për atë ligj kemi një mendim negativ nga Komisioni i Venecias, i cili thotë se duhet të hiqet dorë nga dygjuhësia në gjyqësor, sepse ka sfida që më së shpeshti lidhen me sundimin e së drejtës. Duke i pasur parasysh të gjitha këto, ne si qeveri kemi formuar një grup ekspertësh kushtetues që po punojnë për një zgjidhje që do të jetë edhe kushtetuese, por edhe në përputhje me standardet ndërkombëtare. Kështu që unë i siguroj studentët se ashtu siç janë gjetur zgjidhje për shumë sfida dhe për shumë lëshime nga e kaluara, ashtu edhe për këtë do të gjendet një zgjidhje e përshtatshme. Unë mendoj se ata tashmë e dinë këtë dhe apeli im është të mos lejojnë të jenë mjet në duart e një partie politike që ende jeton në kujtimet, përkatësisht në kohën e shekullit të kaluar, tha Mickoski.

Në një vijë me kryeministrin Mickoski është edhe koalicioni VLEN, të cilët akuzojnë BDI-në se po e shfrytëzon këtë çështje për përfitime politike. Sipas VLEN-it, është krijuar një grup pune me ekspertë për të gjetur një zgjidhje të drejtë dhe afatgjatë.

“E njëjta parti, me disa ministra të Drejtësisë, sot derdh lot krokodili për një problem që nuk e zgjidhi kur e kishte gjithë pushtetin në dorë. Të diplomuarit në juridik, të cilët synojnë ta japin provimin e jurisprudencës, kanë zhvilluar takime, vërejtjet e tyre janë dëgjuar dhe tashmë po punohet seriozisht për një zgjidhje sistemore. Në këtë drejtim, ashtu siç kemi thënë disa herë më parë, është formuar një grup pune me ekspertë të fushës, i cili po shqyrton të gjitha aspektet juridike dhe institucionale, me qëllim që kjo çështje të marrë një zgjidhje të drejtë, të zbatueshme dhe afatgjatë”, tha VLEN .

Ndërkohë, protesta ka marrë mbështetje edhe nga opozita shqiptare. Deputeti i BDI-së Ilir Hasani mbështet protestën e studentëve, ku sipas tij, kjo është një çështje parimore dhe jo politike.

 “Sot, kur studentët ngrihen për këtë të drejtë legjitime, pushteti mundohet ta relativizojë protestën, duke e etiketuar si politike dhe duke u fshehur pas justifikimeve të dobëta. E vërteta është e thjeshtë: kur cenohet një e drejtë, rezistenca është detyrim, jo zgjedhje. Ata që sot janë kundër protestës, në fakt janë kundër barazisë. Heshtja përballë padrejtësisë është bashkëfajësi”, tha Ilir Hasani.

Në përkrahje të protestës kanë dalë edhe nga partia e Arben Taravarit, ajo e Ziadin Selës dhe disa iniciativa në vend. Ndërkaq, ditë më parë organizatori i protestës, Mevlan Ademi, mohoi çdo lidhje politike, duke theksuar se nisma është studentore dhe ka nisur që para dy vitesh, e bazuar në shqetësim real dhe jo një iniciativë me prapavijë partiake. Protesta do të mbahet nesër me fillim në ora 12:30, duke filluar nga Ura e Gurit deri tek Ministria e Drejtësisë.