Gazetar: Suad Bajrami

Nesër në Shkup do të dalin në marsh protestues studentët shqiptarë, pasi ministri i Drejtësisë Igor Fillkov refuzon të lejojë dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Protesta organizohet nga unionet studentore të “Universitetit të Tetovës”, “Evropës Juglindore” dhe “Nënë Terezës”, ndërsa sipas paralajmërimit, marshi do të fillojë te Ura e Gurit në ora 12:30 ndërsa do të përfundojë përpara objektit të Ministrisë së Drejtësisë.
Nëpërmjet një thirrje publike, studentët u kanë bërë apel të gjitha partive politike që ta mbështesin dhe që e njëjta të mos politizohet.

“Sot nuk është dita për heshtje as për kalkulime të vogla politike. Është dita për të dëshmuar se përfaqësimi nuk është vetëm mandat, por edhe përgjegjësi. Ju ftojmë që t’i lini anash dallimet politike dhe të qëndroni në krah me qëndrim publik, me mbështetje të qartë dhe me pjesëmarrje në protestën paqësore”, thuhet në thirrjen e studentëve.

Çështja e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe u hap pasi në fillim të shkurtit mbi 385 studentë shqiptarë të fakulteteve juridike në vend dorëzuan një peticion në Ministrinë e Drejtësisë. Partitë shqiptare të pushtetit dhe opozitës ofruan mbështetje publike, por ministri Fillkov iu përgjigj negativisht kërkesës së studentëve, pasi sipas tij nuk e lejojnë ligjet ekzistuese. Arsyetimi i tij ishte se njohja e gjuhës maqedonase është kusht për t’u bërë gjykatës, prokuror, avokat, noter apo përmbarues, ndërsa ky kusht verifikohet nëpërmjet dhënies së provimit të jurisprudencës në maqedonisht.

Për këtë, Avokatit të Popullit hapi lëndë me vetiniciativë, ndërsa i rekomandoi Qeverisë që të bëjë ndryshime ligjore. Megjithatë, pikëpamje tjetër për zgjidhjen e problemit kanë nga Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve, të cilët gjithashtu hapën lëndë. Ata vlerësojnë se nuk ka nevojë të bëhen ndryshime ligjore meqë kjo e drejtë studentëve u garantohet me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe Amendamentin V të Kushtetutës. Për këtë, Inspektorati i shqiptoi “Vërejtje”, ndërsa Fillkov e ankimoi. Në periudhën në vazhdim do të dihet epilogu i kësaj lënde./Alsat.mk.

The post Studentët shqiptarë nesër protestojnë në Shkup, pasi Ministria e Drejtësisë refuzon provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe appeared first on Alsat.