Studentët shqiptarë protestojnë sot në Shkup

Mos ofrimi i provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe krahas asaj maqedonase ka revoltuar studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut të cilët sot këtë të drejtë që ju mohohet do ta kërkojnë përmes protestës.

Protesta do të fillojë në ora 12:30 para Urës së Gurit në Shkup dhe do vazhdojë deri te Ministria e Drejtësisë, institucioni i cili nuk ua mundëson studentëve që këtë provim ta japin edhe në gjuhën shqipe krahas asaj maqedonase.

Studentët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive të qytetarëve, pasi siç thonë kjo nuk është vetëm ‘lufta’ e tyre, por është ‘luftë’ për mbrojtjen e gjuhës.

Për shkak të protestës, sot do të ketë kufizim të komunikacionit në rrugët nga do të kalojë marshi protestues.

Paraprakisht, organizatorët e protestës paraprakisht u ftuan në polici në bisedë informative.

Protesta ka marrë mbështetje edhe nga individë, funksionarë dhe shoqata tjera nga RMV-ja, Shqipëria dhe Kosova.

Por, e njëjta ka nxitur edhe përplasje midis dy blloqeve politike shqiptare në RMV, VLEN dhe BDI.

Dje, kryeministri i vendit Hristijan Mickoski u garantoi studentëve se do ju gjejë zgjidhje, ndërsa u bëri apel që të mos bëhen vegël e BDI-së.

Nga ana tjetër, zëdhënësja e BDI-së, Arta Bilalli Zendeli ka thënë se garancitë për të drejta vlejnë vetëm për fushatë.

Njëri nga liderët e VLEN-it, Izet Mexhiti tha se politika gjuhësore në Maqedoninë e Veriut, për fat të keq, është rregulluar me një ligj gjysmak.