Një analizë e re shkencore ka konfirmuar edhe një herë rëndësinë e mëngjesit për shëndetin. Sipas një studimi të publikuar në revistën “Nutrients”, personat që nuk hanë mëngjes rregullisht janë më të rrezikuar të zhvillojnë sindromën metabolike — një grup gjendjesh që rrisin gjasat për sëmundje të zemrës, diabet dhe goditje në tru.

Sindroma metabolike diagnostikohet kur një individ shfaq të paktën tre nga pesë treguesit kryesorë: nivele të larta sheqeri në gjak, presion të lartë, trigliceride të ngritura, kolesterol të keq dhe grumbullim të tepërt yndyre rreth belit.

Studiuesit nga Kina analizuan nëntë studime ndërkombëtare që përfshinin mbi 118 mijë pjesëmarrës nga Koreja, Japonia, SHBA dhe Irani. Rezultatet treguan një lidhje të fortë midis anashkalimit të mëngjesit dhe rrezikut të lartë për zhvillimin e sindromës metabolike. Një nga studimet, ai nga Irani, lidhi mosngrënien e mëngjesit me shtimin e dhjamit në bark, ndërsa kërkimet japoneze dhe amerikane vunë re ndikime negative në nivelin e sheqerit, kolesterolit dhe presionit të gjakut.

Sipas ekspertëve, arsyeja kryesore është ndërprerja e ritmit cirkadian — ora e brendshme biologjike që kontrollon metabolizmin. Kur trupi nuk merr ushqim në mëngjes, rritet rreziku i çrregullimeve në përpunimin e sheqerit dhe yndyrës. “Njerëzit që hanë mëngjes konsumojnë më pak gjatë ditës, duke ruajtur peshën dhe sheqerin në ekuilibër”, tha kirurgu bariatrik Dr. Mir Ali për Medical News Today.

Autorët sqarojnë se rezultatet nuk vlejnë për personat që ndjekin agjërimin me ndërprerje, pasi ai është një regjim i strukturuar dhe i kontrolluar, ndryshe nga mosngrënia e rastësishme.

Ekspertët këshillojnë që mëngjesi të mos anashkalohet, por të përfshijë ushqime të shëndetshme si bollgur me fruta dhe arra, kos grek me mjaltë dhe fara, omëletë me perime, bukë të thekur me avokado apo smoothie me fruta të freskëta. Një dietë e ekuilibruar dhe aktiviteti fizik i rregullt mbeten thelbësore për ruajtjen e shëndetit të zemrës dhe metabolizmit.

The post Studimi i ri: Anashkalimi i mëngjesit rrit rrezikun e sëmundjeve metabolike appeared first on Alsat.