Dy dronë rusë goditën qendrën më të madhe tregtare në Krivji Rih, qytetin e lindjes së Zelenskit, duke lënë të vdekur të paktën 16 persona dhe mbi 130 të tjerë të plagosur, përfshirë edhe shumë fëmijë. Sulmi ndodhi në një kohë kur shumë banorë ishin duke bërë pazar para fundjavës.

“Pati një shpërthim pas meje. Vala e shpërthimit më hodhi prapa, rashë në gjunjë dhe pastaj ika me vrap. Më preu nga të dyja anët”, deklaroi Tatjana Hivrenko, e lënduar.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha, tha se Rusia e goditi qëllimisht objektin dy herë dhe se vala e dytë e dronëve sulmoi pasi ekipet e emergjencës kishin arritur në vendngjarje.
Mbrojtja ajrore nuk arriti t’i zbulonte dronët, pasi ata fluturuan në një “lartësi jashtëzakonisht të ulët”, sipas Oleksandr Vilkul, kreut të këshillit të mbrojtjes së qytetit.

Presidenti Volodymyr Zelensky, përsëriti thirrjen e tij për mbështetje në mbrojtjen ajrore, përfshirë furnizime të reja me pengues balistikë dhe raketa të tjera nga partnerët ndërkombëtarë.

“Është thelbësore që të kemi gjithçka që na nevojitet për të mbrojtur jetët. Është e rëndësishme që bota të mos heshtë për të gjitha këto. Kjo luftë ruse duhet të marrë fund dhe bota duhet të na ndihmojë ta arrijmë këtë”, tha Volodomyr Zelenski, President i Ukrainës.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, tha se ministrat e Mbrojtjes dhe të Jashtëm të bllokut evropianë do të diskutojnë mbrojtjen ajrore të Ukrainës gjatë takimit të tyre të parë pas pushimeve verore, në shtator. Sulmi “tregon shthurjen absolute dhe të plotë të luftës së Moskës”, shkroi Kallas në X. “Ky është terror i planifikuar. Rusia dëshiron t’i bëjë qytetet ukrainase të pabanueshme”. Ajo gjithashtu u zotua të shpallë “sanksionet më gjithëpërfshirëse ndaj Rusisë që nga fillimi i luftës”, me qëllim që të rritet edhe më shumë ndaj Rusisë për t’i dhënë fund luftës.

Sulmi vjen pas një serie sulmesh të tjera ajrore ruse ndaj qyteteve ukrainase gjatë kësaj jave. Moska ka bërë pak përparim në vijën e frontit në Ukrainë që nga fillimi i vitit dhe ka intensifikuar sulmet ndaj Ukrainës, duke goditur shpesh infrastrukturën civile dhe duke shkaktuar viktima në mesin e civilëve.

Ukraina po synon që të forcojë kapacitetet e saj të mbrojtjes ajrore me ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë, por po përballet me mungesë të raketave Patriot të prodhuara në SHBA. Uashingtoni ka dhënë sinjale të ndryshme lidhur me një marrëveshje të mundshme që do t’i jepte Kievit licencë për prodhimin e sistemeve Patriot.

Ndërkohë, Kievi vazhdoi të godasë infrastrukturën e naftës dhe atë ushtarake brenda Rusisë, ndërsa vendi tani po përballet me krizën më të rëndë të karburanteve ndër vite./Alsat.

The post Sulm me dronë rusë në Krivji Rih: 16 të vrarë dhe mbi 130 të plagosur, mes tyre fëmijë appeared first on Alsat.