Lëndën “Llaskarca” dhe lëndën për tragjedinë në “Pulse” i bashkon një pyetje e rëndësishme për proceset gjyqësore, se a është përcaktuar qartë përgjegjësia e secilit për pasojat që kanë ndodhur?
Vendimi i Gjykatës Supreme për aksidentin në Llaskarcë është një shembull se çfarë mund të ndodhë kur kjo përgjegjësi nuk precizohet në mënyrë të qartë.
Supremja e ka shfuqizuar aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, duke konstatuar se nuk është shpjeguar konkretisht se si veprimet e secilit prej të dënuarve kanë qenë të lidhura me aksidentin, si dhe mbi cilat prova është përcaktuar përgjegjësia e tyre penale.
Në rastin e Llaskarcës, ekspertizat si shkak të aksidentit kanë evidentuar lëshimin e shoferit, por edhe gjendjen jo të rregullt teknike të autobusit. Megjithatë, sipas Supremes, nuk është sqaruar në çfarë mase kjo gjendje ka kontribuar në aksident dhe si lidhen këto rrethana me përgjegjësinë e personave të tjerë të dënuar.
Kjo, sipas analistit Sejfulla Osmani, i bie që gjykata supreme u bën një leksion shkolloret, që t’u tërheqë vërejtjen prokurorëve se si duhet ndërtuar aktakuza, se përgjegjësia është individuale dhe se përgjegjësia duhet të lidhet shkak-pasojë.
“Konkretisht te Llaskarca, unë për 3-4 persona që akuzohen nuk shoh përgjegjësi penale. Prokurori i ka parë. Tani ne kemi edhe prokurorë që i bëjnë qejfin dikujt – nuk e di se kujt. Te “Pulse” kemi situatë ende më subtile, më të dhimbshme. Aty kemi “gjueti shtrigash”, ashtu unë e quaj, se kërkojmë fajtorin u mundemi, e jo ku është“, deklaroi për TV21 juristi Sejfulla Osmani.
Kjo e bën rastin “Llaskarcë” relevant edhe për procesin për “Pulse”. Edhe këtu, në një tragjedi me pasoja të rënda, një nga çështjet thelbësore është përcaktimi i saktë i rolit dhe përgjegjësisë së secilit prej të akuzuarve. Ajo që duhet të shmanget është që përgjegjësia të përcaktohet vetëm në mënyrë të përgjithshme, pa u sqaruar individualisht se kush çfarë ka bërë ose nuk ka bërë, çfarë detyrimi ka pasur dhe si lidhet ai veprim apo mosveprim me pasojën.
“Realisht, te “Pulse” fajtori është te pronari, sipas meje, gjithmonë sipas meje, se unë e distancoj veten, por në bazë të eksperiencës dhe normave që ekzistojnë në Maqedoni, kështu është – përgjegjësia për një objekt publik bie mbi atë që organizon qoftë evente diskotekë, qoftë evente të mbrëmjeve me muzikë, a evente të ndryshe, ajo obligohet që ti plotësojë kriteret dhe kushtet që i parasheh ligji për organizim të këtyre eventeve. Në rastin konkret, te diskoteka “Pule” kemi lëshime serioze edhe të organeve që duhet ta ndjekin plotësimin e këtyre kritereve, që nga inspektorati, policia, e të tjerët me radhë. Nuk shoh përgjegjësi aty te njerëzit që kanë qenë bartës të funksioneve politike. Jam shumë i bindur që kjo është për t’i bërë qejfin dikujt“, u shpreh për TV21 Sejfulla Osmani.
Vendimi për Llaskarcën tashmë ka vendosur standardin se përgjegjësia duhet të jetë e argumentuar për secilin veçmas dhe e mbështetur në prova konkrete. Si rrjedhojë, që një proces gjyqësor të mos përfundojë me të njëjtat mangësi, nuk mjafton vetëm të përcaktohet se ka pasur përgjegjësi – duhet të përcaktohet saktësisht kush ka bërë çfarë, çfarë detyrimi ka pasur dhe në çfarë mënyre veprimi apo mosveprimi i tij ka ndikuar në tragjedi.
