Ekpi i përbërë nga pala e RMV-së dorëzoi tekstet e reja të lëndës së Historisë dhe Shoqëri për klasat e V-ta dhe VI-ta, ku u diskutua për qasjen dhe metodologjinë e shqyrtimit të këtyre teksteve. Gjatë takimit është nënshkruar procesverbali i mbledhjes së 31-të, ndërsa ka vazhduar harmonizimi i procesverbalit të mbledhjes së 32-të.
“Gjatë takimit, pala maqedonase dorëzoi tekstet e reja të lëndës Histori dhe Shoqëri për klasat e V-ta dhe VI-ta. Duke marrë parasysh realitetin e ri, u diskutua për qasjen dhe metodologjinë e ardhshme lidhur me shqyrtimin e këtyre teksteve. Diskutimi mbi këtë temë do të vazhdojë në takimin e radhës.
Theksojmë se ekipi maqedonas, përmes një qasjeje proaktive për ndërtimin e besimit, vazhdon të punojë për gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme, mbi bazën e respektit të ndërsjellë për të drejtën sovrane të secilës palë për perceptime të ndryshme mbi të kaluarën”, njoftoi ekipi i RMV-së në komision.Ndërkohë, mediat bullgare raportuan se nga takimi nuk ka pasur përparim.
“Pavarësisht qëndrimit deklarativ të kolegëve nga Republika e Maqedonisë së Veriut për punë efikase të komisionit, u konfirmuan dallimet në kuptimin e natyrës së tij”, ka deklaruar për agjencinë BTA pala bullgare e komisionit.
Takimi i ardhshëm i komisionit do të mbahet në gjysmën e parë të dhjetorit në Sofje. Kujtojmë se si rezultat i nënshkrimit të Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë më 1 gusht 2017 i formua Komisioni i Përbashkët maqedono-bullgar për Çështje Historike dhe Arsimore.

