Greqia rihap çështjen e moszbatimit të Marrëveshjes së Prespës nga pala maqedonase. Vërejtjet u theksuan në takimin në Athinë mes ministrit të Jashtëm Timço Mucunski dhe homologut të tij Jorgos Gerapetritis. Athina ka shprehur shqetësim për përdorimin e shpeshtë të emrit “Maqedoni” pa shtesën “e Veriut” nga presidentja Gordana Siljanovska-Davkova dhe disa ministra, raportojnë mediat greke.
Ministri Mucunski tha se gjatë takimit është theksuar rëndësia e të drejtës ndërkombëtare publike dhe detyrimeve të ndërmarra – sepse respekti i ndërsjellë është baza mbi të cilën ndërtohet bashkëpunimi i qëndrueshëm. Në fokus ishin edhe siguria, bashkëpunimi dypalësh, ekonomia dhe investimet.
Mucunski falënderoi homologun grek për solidaritetin që Greqia tregoi gjatë tragjedisë në Koçan dhe zjarreve të fundit afër Dojranit. “Ato nuk ishin vetëm gjeste ndihme – por vepra të vërteta miqësie”, tha ai.
