Një shfaqe ndryshe, plot emocione dhe ngjyra, u dha në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, ku protagonistë kryesorë ishin fëmijët me nevoja të veçanta. Organizatorët thonë se talenti i tyre shpesh mbetet i panjohur, ndërsa kujdesi institucional për ta duhet të jetë më i madh, sepse këta fëmijë kanë nevojë për mbështetje nga të gjithë ne, por edhe për përkujdesje më të strukturuar.

“Me mbështetje të UEJL-së, e kemi organizuar qëllimisht që të bëjmë të ditur dhe të tregojmë shoqërisë dhe studentëve tanë se këta fëmijë kanë nevojë për kujdes, dhe ne jemi ata që duhet t’u afrojmë dorën dhe t’u japim dashuri, po ashtu edhe prindërve të tyre që nuk e kanë të lehtë. Ka qenë i suksesshëm nga vetë fakti se në këtë projekt kanë marrë pjesë mbi 50 studentë dhe ata kanë pasur një qasje të ndryshme ndaj kësaj kategorie, por kjo nuk mjafton. Institucionet kanë një rol të rëndësishëm; ata kanë nevojë për përkrahje institucionale”, tha Abdullai.

Profesoresha Vjollca Bekteshi, e cila punon prej vitesh me këta fëmijë, theksoi se talentet e tyre shpesh janë të pazbuluara dhe rrallëkush i kupton.

“Ndër vite kam punuar me këta fëmijë; nuk është lehtë, por është një moment i këndshëm që rrallë kush e kupton, rrallë kush e kupton botën e tyre, për të bashkëpunuar me këta fëmijë dhe për të nxjerrë më të mirën për ta për publikun, për të gjithë ata që nuk e njohin botën e tyre. Sepse këta ndoshta nuk shohin, ndoshta nuk ecin, ndoshta kanë ndonjë problem fizik, por kanë talent më të madh sesa të gjithë ne”, deklaroi Bekteshi.

Në kuadër të kësaj ngjarjeje u hap edhe ekspozita e fëmijëve nga paralelja speciale e shkollës fillore “Liria” në Tetovë. Projekti është përkrahur edhe nga Ministria e Kulturës dhe gjatë shtatë javëve të fundit është zhvilluar një program intensiv me fëmijë, prindër dhe edukatorë, që përfshinte aktivitete fizike, edukative dhe kulturore, të gjitha realizuar me kujdes të veçantë.