Talenti 16-vjeçar i Akademisë debutoi me ekipin e parë të FC-Shkupi! Ismaili: Shumë më mirë që debutova në Çair! Publiku më inkurajoi shumë

FC Shkupi vazhdon serinë e fitoreve, duke triumfuar 3-1 në shtëpi kundër Pelisterit, në një ndeshje të dominuar nga bardhekaltrit. Kjo ishte fitorja e pestë radhazi për ekipin, duke e konsoliduar atë në mesin e tabelës me 31 pikë, vetëm një më pak se Struga në vendin e pestë.

Heroi i ditës ishte Xhemal Ibishi, i cili realizoi dygolësh në minutat 44 dhe 69, duke udhëhequr Shkupin drejt një tjetër triumfi të rëndësishëm. Sulmuesi tregoi klasin e tij në momentet vendimtare, duke finalizuar dy aksione të shkëlqyera, një me asist të Avornyo, e tjetrin individualisht. Ndërsa Shkupi kërkonte me ngulm golin e sigurisë, ishte Numan Ajeti ai që vulosi fatin e ndeshjes në minutën e 74-t.

Një nga momentet më emocionuese të sfidës ishte debutimi i talentit të Akademisë, Andi Ismaili. Në minutën e 84-t, me vetëm 16 vjet e 82 ditë, ai zëvendësoi protagonistin e ndeshjes, Xhemal Ibishin, duke bërë hapin e parë në ekipin e parë të Shkupit. Ky është një sinjal i qartë se Akademia e klubit po prodhon talentë premtues për të ardhmen.

Pas ndeshjes, Ismaili falenderoi klubin për mundësinë e dhënë dhe publikun për pritjen dhe përkrahjen e madhe.

“Jam shumë i lumtur. Falenderoj shumë klubin që më dha mundësinë të debutoj me ekipin e parë si 16 vjeçar. Kjo është ëndërr e shumicës të futbollistëve në akademinë tonë. Gjithë ata kanë dëshirë të debutojnë si unë. Momentin kur u futa në lojë, ishte një emocion i madh, i veçantë. Më erdhi jashtëzakonisht mirë të futem në fushë vetëm si 16 vjeç. Falenderoj shumë edhe publikun që më priti shumë mirë, më përkrahi dhe më inkurajoi shumë. Për mua ishte shumë më mirë që debutova në Çair, sesa të kishte ndodh si mysafir. Për të ardhmen, shpresoj të luaj sa më shumë minuta, e ekipi të vazhdoj me fitore”, tha Ismaili.

Ndryshe, Ismaili u bë lojtari i tretë më i ri në histori të klubit FC Shkupi, pas Dashmir Elezit nga Shkëndija dhe Elif Elmazit nga Rabotniçki.