“Është mirë që Ahmeti mësohet të jetë në opozitë”. Me këtë deklaratë, ministri i shëndetësisë Arben Taravari e refuzoi propozimin e liderit të BDI-së i cili e thirri koalicionin VLEN që të dalë nga qeveria dhe të jenë bashkë në opozitë.
“z. Ahmeti mendoj se dalë ngadalë po mësohet të jetë në opozitë. Shpresoj se do të mësohet edhe më shumë, kështu që mendoj se i duhet vetëm adaptim, asgjë tjetër”, tha Arben Taravari.
Ofertën e Ahmetit e refuzoi edhe Blerim Sejdiu nga Lëvizja Besa që është pjesë e VLEN-it. Ai në Daily Click tha se çdo herë në të kaluarën kur opozita shqiptare ka kërkuar bashkim, BDI-ja nuk e ka pranuar kërkesën e tyre.
Dje Ahmeti tha se qellmi i tyre nuk është që të bëhen pjesë e qeverisë për shkak se nuk janë gomë rezerve. Njëkohësisht FE e thirri koalicionin VLEN që të dalë nga qeveria dhe t’i bashkëngjiten koalicionit të tyre dhe bashkë t’ia tregojnë Mickoskit linjat e kuqe. Më vjen keq që Ahmeti e krahasoi partinë e tij me gomë rezerve, tha kryeministri Mickoski për ofertën e BDI-së. Ai përsëri i tha Ahmetit që ta reformojë partinë e tij.
“BDI ngadalë po mësohet të jetë parti opozitare, më vjen keq që kryesia e BDI-së dhe Ali Ahmeti e krahasuan partinë e tyre dhe anëtarësinë me gomë rezerve. Kam pritur kreativitet më të madh. Por puna është ashtu siç është. U uroj ditë në opozitë në të cilat do të reformohen dhe do ta gjejnë identitetin e tyre programor, kuadrovik, duke u reformuar”, tha Hritijan Mickoski.
Edhe pse paraprakisht kryeministri Mickoski pohonte se BDI përgatit destabilizim të shtetit, dje Ahmeti tha se nuk do të ketë asnjë destabilizim por se do të organizojnë protesta. Sipas Mickoskit përpjekjet fillestare për destabilizim dështuan dhe tani BDI del me retorikë më të butë. Por nëse protestat janë të dhunshme, paralajmëroi se do të ndërmerren masa.

