Ligji për përfaqësim të drejtë është i gatshëm, pohon Arben Taravari nga koalicioni VLEN, duke shtuar se teksti vetëm duhet të sinkronizohet dhe koordinohet, para se kalojë nëpër parlament. Sipas tij, nuk ka asgjë të keqe që të kërkohet mendim nga Komisioni i Venecias, nga ku është i sigurt se mendimi nuk do të jetë negativ.

“Nuk mund të marrim sepse është ligj që është përpunuar me ekspertë ndërkombëtarë, tash nuk dua t’i përmendi emrat, njerëz të cilët që janë njerëz kredibil me shumë respekt në institucionet e drejtësisë ndërkombëtare”, deklaroi Arben Taravari, ASH/VLEN.

Po edhe pse Taravari pohon se ligji është gati, ndërsa theksi ka kaluar te dërgimi i tekstit në Komision të Venecias, zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva konfirmoi se në Qeveri ende nuk ka ndonjë ligj.

Për këtë ligj do të flitet në kuadër të koalicionit, do të ketë debat të gjerë në lidhje me atë se çfarë dhe si do të duhet të përfshihet, sepse do të përfshijë rreth më të gjerë të  grupeve të margjinalizuara. Në këtë moment nuk ka zgjidhje të tillë që është përcjellë në Qeveri, e as në seancë qeveritare”, shtoi Marija Miteva, zëdhënëse e qeverisë.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanoski, thotë se debati për ligjin do të jetë i gjerë, ku do të përfshihen të gjithë aktorët që preken. Pasi të ketë marrë mendim nga Komisioni i Venecias, shprehet se do të sillet me konsensus në parlament, e për këtë pret edhe mbështetjen e BDI-së.

Nëse janë kontstruktivë besoj se po, sepse ne me tema të këtilla duhet të veprojmë edhe më me përgjegjshmëri sepse thelbi dhe nevoja e të gjithë neve është të bëjmë zgjidhje ligjore që do t’i respektojë këto dallime por do të bazohet në sistemin e meritave”, shtoi Bojan Stojanoski, deputet VMRO-DPMNE.

Nga BDI deri më tani kanë thënë se nuk do të flasin për ligjin pa e parë tekstin, ndërsa vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e kërkesës për deklarim të përkatësisë etnike, që solli edhe shfuqizimin e Balancuesit, integristët vazhdojnë ta konsiderojnë të dëmshëm, si sulm të drejtpërdrejt ndaj të drejtave të komuniteteve dhe që do të ketë pasoja të rënda për funksionimin e drejtë dhe të barabartë të institucioneve. Çështjen që e kanë shtruar është se cili do të jetë mekanizmi ligjor që do të ndjekë përfaqësimin e drejtë, kur Gjykata ka eliminuar deklarimin e përkatësisë etnike.