Taravari: Marrëdhëniet VLEN-VMRO janë mjaft korrekte, duhet më tepër koordinim!

Ministri i Shëndetësisë, njëherë kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, i cili merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të 79-të të KB-së, deklaroi se marrëdhëniet ndërmjet partnerëve në koalicionin e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, ku janë VLEN dhe ZNAM, janë korrekte dhe se kjo Qeveri do të vazhdojë të funksionojë. Qeveria, thotë ai, ka strategji më afatgjate, por nevojitet konsultim më i shpeshtë dhe sinkronizim ndërmjet partive politike në pushtet.

Siç raporton MIA nga Nju-Jorku, Taravari këtë e tha pas deklaratave të Halil Snopçes në Click Plus në TV21, i cili tha se VLEN do të largohet nga koalicioni qeveritar nëse votohet ligji për “branitellat”, deklarata për të cilat kryeministri Hristijan Mickoski, i uroi fat deputetit nëse kjo do të ndodhte.

“Mund të them se raportet mes Vlenit dhe VMRO-DPMNE-së janë mjaft korrekte. Në nivelin e kryetarëve të partive. Normalisht kemi struktura për të gjitha partitë VLEN dhe VMRO-DPMNE. Ndoshta ka pasur ndonjë keqkuptim të vogël diku që nuk mund të them të njëjtën gjë për ZNAM dhe VLEN. Megjithatë, përsëri do të them se marrëdhëniet mes partnerëve në koalicionin e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, ku janë VLEN dhe ZNAM janë korrekte dhe jemi munduar të jemi sa më sinkron këto njëqind ditë, por diku ka pasur keqkuptime, diku ka pasur ndërhyrje që nuk ishin të koordinuara si duhet, prandaj duhet kohë që të sinkronizohen plotësisht dhe kompletisht dhe kjo të shihet edhe te qytetarët. Megjithatë, në përgjithësi mund të them se pritshmëritë e qytetarëve nga kjo shumicë ishin të mëdha”, tha ministri i Shëndetësisë.

Ai beson se reagimi i Snopçes ndaj ligjit për “branitellat” ka qenë, siç tha ai, ashtu siç duhet, por shpreson që në shumicën qeveritare të ketë koordinim dhe “ky problem i vogël” të tejkalohet.

“Ligji për “branitellat” është miratuar pesë herë që nga viti 2002 dhe kjo është hera e gjashtë dhe nuk besoj se pa dashje LSDM-ja e ka dorëzuar këtë pikë për “branitellat” së pari në shkurt të vitit 2024 kur i kanë shkarkuar dy ministrat Aziri dhe Fatmir Mexhiti dhe për herë të dytë tani pikërisht kur ishin pika të rëndësishme të rendit të ditës në Kuvend. Si pikë të jashtëzakonshme vendosën edhe ligjin për “branitellat”. Në përgjithësi, mendoj se kur planifikojmë të prezantojmë diçka si Qeveri, duhet të sinkronizohemi dhe të njoftojmë njëri-tjetrin, ndaj edhe reagimi i zotit Snopçe ishte në këtë drejtim. Pra, ne nuk jemi njoftuar, jemi në thelb kundër çdo gjëje që të kalojë pa rënë dakord mes nesh. Reagimi i Snopçes ka qenë ashtu siç duhet dhe shpresoj se do të kemi një koordinim mes nesh dhe do ta kalojmë këtë problem të vogël që BDI-ja po përpiqet me LSDM-në. Mendoj se janë të koordinuar për të vënë, për të mbjellë shkëndija në funksionimin e koalicionit në shumicën qeveritare”, tha Taravari.