Tatjana Popovski Bulloski, avokatja mbrojtëse e ish-ministrit të Ekonomisë në vitin 2021, në gjykatë kritikoi aktakuzën për zjarrin në diskotekën Puls, duke theksuar se veprimet e ministrit në vitin 2012 nuk kanë asnjë lidhje me tragjedinë që ndodhi 13 vite më vonë.

Popovski Bulloski shpjegoi se licenca e lëshuar nga Ministria e Ekonomisë në vitin 2012 i përkiste një kabareje në rrugën “Dimitar Vllahov”, e jo diskotekës në rrugën “Krizhevska”, ku ndodhi zjarri. Licenca kishte afat vetëm një vit dhe nuk i mundësonte asnjë aktivitet që do ta rrezikonte objektin apo vizitorët.

“Ministri ka vepruar brenda kompetencave të tij në Ministri. Ai as nuk ka mundur të kontrollojë, as të parashikojë një ngjarje që do të ndodhte 13 vite më vonë”, theksoi Popovski Bulloski.

Mbrojtja theksoi se Prokuroria po i referohet një koncepti të “kauzalitetit afatgjatë”, i cili, sipas avokates, nuk është i zbatueshëm në të drejtën penale, pasi normat ligjore kërkojnë të merret parasysh vetëm shkaku i drejtpërdrejtë i ngjarjes.

Popovski Bulloski theksoi se qëllimi i mbrojtjes është të dëshmojë se ish-ministri nuk ka faj dhe të sigurohet drejtësi për familjet e viktimave, si dhe për të mbijetuarit që ende janë në proces rehabilitimi.

“Gjykata duhet të shqyrtojë të gjithë dokumentacionin dhe të përcaktojë personin vërtet përgjegjës, në vend që të akuzohet dikush që nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen”, tha Popovski Bulloski.