Shqipëria ka shpall persona të padëshiruar dy shtetas të Maqedonisë së Veriut, Valon Belën dhe Bekir Halimin, raporton Top Channel. Sipas medias shqiptare vendimi është marrë nga Ministria e Brendshme pas një propozimi të Njësisë Antiterror në Policinë e Shtetit. Burime pranë Top Channell bëjnë të ditur se autoritetet shqiptare kanë siguruar të dhëna që i lidhin dy personat me aktivitete të dyshuara në dëm të sigurisë dhe interesave të vendit.
Pas publikimit të lajmit nga autoritetet shqiptare, i mënjëhershëm ishte reagimi i Valon Belës duke e cilësuar vendimin si politik. Sipas Belës, një vendim administrativ nuk mund të zhbëjë historinë, sakrificën dhe kontributin e tij. Bela kritikoi ashpër edhe Qeverinë shqiptare, duke pretenduar se vendimi është i motivuar politikisht.
“Një vendim administrativ nuk mund ta shpallë “non grata” historinë, sakrificën dhe kontributin e një shqiptari. Nëse një luftëtar i tri luftërave kombëtare shqiptare shpallet i padëshiruar në shtetin shqiptar, atëherë pyetja nuk është vetëm se kush u shpall “non grata”, por çfarë mesazhi po i jepet kujtesës sonë kombëtare”, ka shkruar Bela.
Autoritetet shqiptare nuk kanë dhënë ende detaje zyrtare mbi natyrën e aktiviteteve që kanë çuar në shpalljen e tyre “non grata”. Kujtojmë që më herët, nga shteti shqiptar është shpallur “non grata” Ikball Berisha. Në vendimin e firmosur nga ministri i Brendshëm Besfor Lamallari, thuhej se motivi i këtij vendimi bazohej në informacionet e grumbulluara, sipas së cilave, veprimtaria e kësaj shtetase vlerësohet si kërcënim për vendin, sigurinë kombëtare, si dhe rendin e sigurinë publike.
