Komuna e Aerodromit ka marrë vendim që të lirojë personat deri 35 vjeç nga pagesa e shërbimeve komunale për ndërtimin e një shtëpie, përcjell TV21. Ky vendim u mor në seancën e parë të Këshillit të Komunës së Aerodromit.

Sipas SDK.mk, këtë të drejtë do ta kenë personat që në ditën e dorëzimit të kërkesës nuk janë më shumë se 35 vjeç, që kanë qenë banorë të Komunës së Aerodromit të paktën dy vjet, që ndërtojnë, zgjerojnë ose ngrisin mbi një banesë të tyre të parë, dhe nëse objekti ndërtohet ekskluzivisht për nevoja personale banimi.

Të interesuarit duhet të dorëzojnë dokumentacionin teknik të plotë sipas Ligjit për Ndërtim, si dhe një deklaratë që objekti do të përdoret për banim personal të paktën për dhjetë vjet.

“Lirimi nga shërbimet komunale vlen për ndërtimin e një shtëpie të re individuale, zgjerimin e një objekti ekzistues banimi për banim individual dhe ngritjen mbi një objekt ekzistues banimi për banim individual, me të cilën krijohet banesa e parë”, thonë nga Komuna e Aerodromit.