Kështu dukej Teherani mëngjesin e kësaj të diele.

Tymi i zi mbuloi kryeqytetin e Iranit pasi një valë e re sulmesh izraelite goditi një objekt për ruajtjen e naftës dhe një rafineri.

Flakët e mëdha ndriçuan qiellin e qytetit të shtunën mbrëma.

Duket se kjo është hera e parë që një objekt industrial është goditur gjatë këtij konflikti.

Ushtria izraelite publikoi një video për të cilën tha se tregon sulme ndaj objektivave në Iran. Sipas njoftimit “gjatë 24 orëve të fundit, Forcat Ajrore të Izraelit kryen një valë të gjerë sulmesh në Iranin perëndimor dhe qendror, ku u sulmuan mbi 400 objektiva të infrastrukturës ushtarake që i përkasin regjimit iranian, përfshirë lëshues raketash balistike dhe objekte të tjera të prodhimit të armëve.”

Kryeministri Benjamin Netanjahu premtoi “shumë surpriza” për fazën e ardhshme të konfliktit. Duke iu drejtuar drejtpërdrejt popullit iranian të shtunën, Netanjahu tha se “momenti i së vërtetës po afrohet”.

“Ne nuk kërkojmë ta ndajmë Iranin. Ne kërkojmë ta çlirojmë Iranin dhe të jetojmë në paqe me të. Por në fund të fundit, çlirimi nga zgjedha e tiranisë, ky çlirim do të varet nga ju, populli iranian i guximshëm dhe shumë i vuajtur. Unë besoj se nëse ju ngriheni në momentin e së vërtetës, dita nuk do të jetë larg kur Izraeli dhe Irani të kthehen sërish në miq të guximshëm.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i përshkroi operacionet e vazhdueshme të SHBA-së në Iran si një “ekskursion” dhe tha se nuk po kërkon të negociojë me udhëheqjen e mbetur të Iranit”, tha Benjamin Netanyahu – kryeministër i Izraelit.

“Por ne nuk po kërkojmë të arrijmë marrëveshje. Ata do të donin të arrinin marrëveshje. Ne nuk po kërkojmë të arrijmë marrëveshje”, u shpreh presidenti i SHBA-ve Donald Trump.

E deri sa përballen me sulme tashmë 9 ditë, është ngritur pyetja nëse liderët iranianë janë të bashkuar apo kanë përçarje mes vete.

Kjo pasi Presidenti i Iranit Masud Pezeshkian ndryshoi retorikën. Të shtunën ai u kërkoi falje vendeve fqinje për sulmet e Iranit, duke thënë se ato mund të kenë ndodhur për shkak të një keqkomunikimi brenda ushtrisë dhe tha se nga tani e tutje ato do të ndalen. =inser file KUVAJT= Po krahas kësaj deklarate, sulmet vazhduan në disa vende të Gjirit.
AssociatedPress shkroi se komentet e Presidentit iranian janë kundërshtuar shpejt nga linja e ashpër brenda Iranit.

Pas kërkim faljes së djeshme të Presidentit, në një media shtetërore iraniane foli zyrtari i lartë i sigurisë në Iran, Ali Larijani, duke thënë se “udhëheqësit janë të bashkuar dhe nuk kanë mosmarrëveshje me njëri-tjetrin”.

“Sulmet e kryera nga Republika Islamike do të vazhdojnë. Ne nuk do t’i lëmë të shpëtojnë. Ata nuk duhet të mendojnë se do t’i lejojmë amerikanët ta mbyllin shpejt këtë çështje dhe të thonë: ‘i goditëm dhe tani ta mbyllim.’ Kjo mund të mbyllet vetëm kur ata ta kuptojnë se nuk kanë më të drejtë të sulmojnë Iranin dhe kur ta kompensojnë kombin iranian për dëmet”, tha Ali Larijani – Sekretar i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit.

E sot presidenti iranian Pezeshkian sot foli më ndryshe, duke kërcënuar se do të intensifikojë sulmet ndaj objektivave amerikane në të gjithë Lindjen e Mesme.

“Disa mund të mendojnë se duke shprehur keqardhje ne po kërkojmë falje. Nuk është kështu. Ne thjesht ndiejmë keqardhje për njerëzit e dashur në rajon që mund të jenë të shqetësuar për shkak të këtij konflikti. Por ata që na sulmuan nga territori i tyre natyrisht do të marrin një përgjigje, dhe ne do të përgjigjemi me forcë. Ne jemi miq me vendet e rajonit; ata janë vëllezërit tanë. E thashë edhe dje: duhet të përpiqemi, të shtrëngojmë duart e njëri-tjetrit dhe të mos lejojmë që Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara, përmes mashtrimit dhe manipulimit, të bëjnë që vendet e rajonit të dalin kundër njëri-tjetrit”, u shpreh Masoud Pezeshkian – President i Iranit.

Lufta shpërtheu më 28 shkurt pas sulmeve të përbashkëta amerikano-izraelite kundër Iranit. Jozyrtarisht deri tani nga konflikti në Iran janë vrarë mbi 1300 persona.