Prokuroria Themelore në Shkup ka hapur procedurë hetimore ndaj një gruaje 25-vjeçare, e dyshuar për prodhim dhe shpërndarje të paautorizuar të narkotikëve, pas tentativës për të futur drogë në burgun e Idrizovës. Sipas njoftimit të Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 20 maj, kur e dyshuara kishte shkuar për vizitë te bashkëshorti i saj, i cili po vuan dënim në Idrizovë.
Gjatë kontrollit të sendeve që kishte me vete, ajo kishte sjellë dy pako që në pamje të parë dukeshin si kuti me gjithsej 60 vezë. Megjithatë, pas kontrollit me skaner dhe kontrollit manual nga shërbimet e burgut, është konstatuar se 28 prej vezëve përmbanin pako me lëndë narkotike. Sipas autoriteteve, në to janë gjetur gjithsej mbi 318 gramë marihuanë dhe mbi 142 gramë kokainë.
Nga Prokuroria bëjnë të ditur se, duke marrë parasysh peshën e veprës penale, rrezikun e arratisjes dhe mundësinë për përsëritje të veprës, është kërkuar caktimi i masës së arrestit shtëpiak për të dyshuarën. Në vendimin për masën e propozuar është marrë parasysh edhe fakti se ajo është nënë e fëmijëve të mitur, mes tyre edhe e një foshnjeje pesëmuajshe.
