Tetovarja Erjona Jonuzi, kapitene dhe MVP që në javën e parë në Sllovaki!

Volejbollistja tetovare, Erjona Jonuzi, është rikthyer sërish në terrenet e volejbollit, duke qenë pjesë e sezonit të dytë të kampionatit të volejbollit në Sllovaki. Jonuzi, është pjesë e Klubit të Volejbollit për femra “Nove Mesto”. Volejbollistja e mirënjohur nga Maqedonia u rikthye fuqishëm nga lëndimi dhe në javën e parë të kampionatit sllovak, u zgjodh kapitene e skuadrës “Nove Mesto”, duke rrëmbyer çmimin “MVP”, si volejbollistja më e mirë e ndeshjes, në javën e parë të kampionatit sllovak, ku “Nove Mesto” në rolin e skuadrës mysafire shënoi fitore me 3-0 me sete, kundër ekipit vendas “Elba Preshov”.

Kujtojmë që Erjona Jonuzi këputi ligamentin e kryqëzuar (ACL) në gjurin e majtë gjatë sezonit të kaluar, me çka ishte e detyruar që të ndërpresë sezonin.

 

Vlerësimet e para të mjekëve parashihnin që rikuperimi i plotë të zgjas nga 10 deri më 12 muaj. Megjithatë, falë përkushtimit dhe punës së palodhur, Erjona u rikthye në terrenet e volejbollit, vetëm pas gjashtë muajsh, edhe pse ende jo në formën e saj maksimale.

 

Erjona, sfidën e parë pas rikuperimit e kishte me përfaqësuesen e Maqedonisë, pasi që kampionati sllovak kishte përfunduar. Sot, ajo është plotësisht e rikuperuar dhe vijon të dëshmojë kualitetin e lartë që posedon në volejbollin sllovak.

 

The post Tetovarja Erjona Jonuzi, kapitene dhe MVP që në javën e parë në Sllovaki! appeared first on Alsat.