Për të 14-in vit me radhë, në Tetovë organizohet Sofra e Ramazanit nga Agimi i Bamirësisë. Gjatë ditës së sotme janë shpërndarë rreth 700 iftare për nevojtarët dhe një pjesë të studentëve, pasi numri më i madh i studentëve ditën e parë të Ramazanit e kalojnë në shtëpi. Visar Xhaferi thotë se qëllimi është që ata që nuk kanë mundësi financiare të furnizohen me ushqim të ngrohtë gjatë muajit të Ramazanit.

“Sot, në ditën e parë, Agimi i Bamirësisë fillon me 600 deri në 700 iftare. Edhe pse dita e parë është pak më e vështirë në aspektin organizativ, shpresojmë që të gjitha iftaret që i kemi përgatitur me aktivistët tanë të arrijnë në kohë. Iftari i parë për ata që kanë nevojë për një iftar të përbashkët le t’u mbërrijë në tavolinat dhe sofrat e shtëpive të tyre, që Ramazani të nisë me këmbë të mbarë dhe me iftar të pranuar nga Zoti për të gjithë ata që agjërojnë ditën e parë”, tha Visar Xhaferi.

Edhe pse çmimet në treg janë rritur, një iftar kushton 200 denarë, apo rreth 3.5 euro. Nga Agimi i Bamirësisë thonë se kostoja është e madhe dhe organizimi nuk është i lehtë.

“Kostoja është e madhe, dhe kur themi e madhe, nuk e themi për ta hiperbolizuar, por sepse, siç e dini, çmimet e artikujve bazë janë rritur. Çdo ditë e shohim se kostoja e 1.000 iftareve është rritur ndjeshëm. Ajo që duam t’u përcjellim shikuesve është se ata që nuk kanë mundësi të agjërojnë, sipas rregullave fetare, paguajnë kompensim, dhe mendoj se Agimi i Bamirësisë dhe iftaret e saj janë një adresë shumë e qëlluar për këtë qëllim. Po ashtu, të gjithë ata që duan të japin sadaka për një iftar janë të mirëseardhur”, dekalroi Visar Xhaferi.

Nga Agimi thonë se të gjithë ata që duan të dhurojnë një iftar për studentët dhe skamnorët, mund të kontribuojnë edhe me produkte ushqimore. Vitin e kaluar, por edhe gjatë pandemisë, kjo shoqatë ka shpërndarë ushqime, duke arritur që numri i iftareve të shkojë deri në 1.300 në ditë.