Sipas The Telegraph, delikuentët shqiptarë – përfshirë edhe ata që kanë mbërritur me varka të vogla – po dënohen me burg në Britaninë e Madhe me një ritëm prej një personi çdo dy ditë.

Sipas gazetës britanike, gjatë tre muajve të parë të vitit, rreth 63 shqiptarë janë dënuar me gjithsej 207 vite burg.

Në shkrim thuhet se shqiptarët përbëjnë rreth 9 për qind të të gjithë të burgosurve në burgjet britanike, ndërsa besohet se shumë prej tyre kanë hyrë ilegalisht në vend duke kaluar Kanalin Anglez.

Shteti shqiptar ka përqindjen më të lartë mes 10.376 shtetasve të huaj që ndodhen në burgjet në Angli dhe Uells, i ndjekur nga Irlanda dhe Polonia me nga 7 për qind secila.

Shumica e dënimeve nga janari deri në mars lidhen me vepra penale si trafik droge dhe vjedhje me thyerje.

Çdo i burgosur i kushton taksapaguesve britanikë rreth 60.018 paund në vit, çka mund të arrijë në afro 800 milionë paund nëse të gjithë vuajnë dënimet e plota.

Rritja e numrit të shqiptarëve të burgosur lidhet me fluksin e madh të emigrantëve me varka të vogla në vitin 2022, kur një rekord prej 12.551 personash mbërritën në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA), një “numër i konsiderueshëm” shqiptarësh në Britani kanë hyrë ilegalisht për të punuar në ekonominë joformale ose për grupe kriminale të trafikut të drogës, duke dërguar çdo vit “qindra miliona paund” në Shqipëri.

NCA thekson se ekonomia joformale – që përfshin punë në ndërtim, gastronomi, autolarje apo berberë me pagesa rreth 100 paund në ditë – është shumë tërheqëse për shqiptarët më të varfër.

Ndër të dënuarit në mars janë edhe dy vëllezër shqiptarë, Kreshnik dhe Vitlum Hasanaj, të cilët u dënuan me nga pesë vite burg për furnizim në shkallë të gjerë me kokainë në Maidstone, Kent.

Po ashtu, 19-vjeçari Henri Nikolli u dënua me gjashtë vite e tre muaj burg pasi iu gjetën armë të modifikuara dhe mbetje të një ferme kanabisi në shtëpinë e tij në Hertfordshire.

Në mesin e të dënuarve është edhe një grup prej pesë shqiptarësh, të lidhur me mbi 40 vjedhje në Midlands dhe veri të Anglisë, ku janë vjedhur mbi 1 milion paund në pasuri, përfshirë bizhuteri, çanta luksoze, ora dhe para në dorë.

Ligjet e reja të propozuara nga Partia Laburiste parashohin që disa të burgosur të deportohen menjëherë pas dënimit. Aktualisht, ata mund të deportohen pasi të kenë vuajtur 30 për qind të dënimit.

Në kuadër të një marrëveshjeje të përshpejtuar me Shqipërinë, qeveria britanike organizon pothuajse çdo javë fluturime deportimi drejt vendit. Vetëm javën e kaluar, 50 kriminelë dhe azilkërkues të refuzuar u kthyen, me dënime totale prej afro 70 vitesh burg.

Ministrja e Brendshme britanike, Shabana Mahmood, deklaroi në rrjetin X: “Jam zotuar të rris largimet e emigrantëve ilegalë dhe këtë e kemi bërë. Gati 60 mijë emigrantë ilegalë dhe kriminelë të huaj janë larguar ose deportuar, por duhet të bëjmë edhe më shumë.”