Thomas Tuchel ka nënshkruar një zgjatje të kontratës së tij me Anglinë, e cila do ta mbajë atë në krye të ekipit kombëtar deri pas Euro 2028.

Marrëveshja e re do të thotë që Tuchel, i cili mori drejtimin e ekipit përfaqësues të Anglisë në janar të vitit 2025, do të mbetet trajner pavarësisht fatit të Anglisë në Kupën e Botës këtë verë. Ai fillimisht nënshkroi një kontratë 18-mujore, por tani do të jetë në krye edhe për Kampionatin Europian që luajnë në shtëpi pas dy vitesh.

Kuptohet që Tuchel mendon se shansi për të drejtuar Anglinë në një turne të organizur bashkë me Uellsin, Skocinë dhe Republikën e Irlandës është një mundësi që të vjen vetëm një herë në jetë. Federata e Futbollit të Anglisë, kërkonte me ngulm të siguronte vazhdimësi para atij eventi dhe të shuante çdo spekulim që e lidhte atë me punë në klube të nivelit të lartë.

Tuchel tha: “Jam shumë i lumtur dhe krenar që zgjas kohën time me Anglinë. Nuk është sekret për askënd që kam dashur çdo minutë deri më tani të punës me lojtarët dhe trajnerët e mi, dhe mezi pres t’i udhëheq ata në Kupën e Botës. Është një mundësi e jashtëzakonshme dhe ne do të bëjmë çmos për ta bërë vendin krenar.”

“Kam pasur kaq shumë mbështetje nga Mark [Bullingham, CEO i Fedederatëps Angleze], të gjithë kolegët e mi në Federatë dhe nga tifozët kudo që shkoj, saqë nuk hezitova kur më kërkuan të vazhdoja në këtë punë ëndrrash. Euro 2028 do të jetë një turne shumë i veçantë dhe si trajner nuk ka asgjë më shumë që dëshiron sesa të garosh me më të mirët në skenën më të madhe të mundshme.”

Që kur zëvendësoi Gareth Southgate, ish-trajneri i Chelseat, Bayern Munich dhe Paris Saint-Germain e ka udhëhequr Anglinë drejt një fushate kualifikuese të Kupës së Botës pa probleme, ku ata fituan të tetë ndeshjet pa pësuar gol. Humbja e tij e vetme ka ardhur në një ndeshje miqësore kundër Senegalit qershorin e kaluar.

Ekipi mbështetës kryesor i Tuchel – Anthony Barry, Henrique Hilário, Nico Mayer dhe James Melbourne – kanë nënshkruar gjithashtu kontrata të reja deri në verën e vitit 2028. “Duke i siguruar ata herët për vitin 2028, ne kemi eliminuar shpërqendrimin e mundshëm të rinegociimeve të kontratave rreth turneut”, tha Bullingham.

Bullingham tha për Tuchel: “Thjesht nuk ka kandidat më të mirë në futbollin botëror. Me përvojën, njohuritë dhe pasionin e tij në ndeshjet e mëdha, ai i jep skuadrës shansin më të mirë për sukses.”

The post Thomas Tuchel firmos kontratën e re, trajner i Anglisë deri në vitin 2028 appeared first on Alsat.