Tmerr në Vizbeg: Fqinjët thyejnë derën e shtëpisë dhe rrahin 57-vjeçarin në sy të djalit të mitur

Një ngjarje e rëndë dhune është regjistruar gjatë mbrëmjes së djeshme në fshatin Vizbegë të Shkupit, ku një person është sulmuar brutalisht brenda shtëpisë së tij nga disa fqinj.

​Sipas njoftimit zyrtar nga MPB, rasti është denoncuar në polici sot rreth orës 01:00 pas mesnate. Viktima, 57-vjeçari me iniciale N.B., ka deklaruar se rreth orës 22:30 të ditës së djeshme, disa persona që jetojnë në fqinjësi me të, kanë thyer me forcë derën e hyrjes së shtëpisë së tij dhe kanë hyrë brenda duke e sulmuar fizikisht.
​Sipas dëshmisë, njëri nga sulmuesit e ka goditur 57-vjeçarin disa herë në kokë me dorezën e një pistolete. Gjatë këtij incidenti të dhunshëm, sulmuesit nuk kanë kursyer as djalin e mitur të pronarit të shtëpisë, duke e shtyrë me forcë.
​Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Shkup njofton se janë duke u ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit dhe dokumentimin e veprimeve të personave të përfshirë në këtë sulm.