Banorët e Reçicës së Madhe në Tetovë kanë protestuar në pikën pagesore të Tetovës, duke shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj çmimit të ofruar për shpronësimin e tokave që do të preken nga ndërtimi i Korridorit 8.
Ata theksuan se nuk janë kundër realizimit të projektit rrugor dhe zhvillimit të infrastrukturës, por kundërshtojnë vlerësimin që u është bërë pronave të tyre. Sipas protestuesve, kompensimi prej 3 deri në 4 euro për metër katror nuk pasqyron vlerën reale të tokës bujqësore dhe dëmin që u shkaktohet familjeve të tyre.
Banorët deklaruan se tokat që po shpronësohen përbëjnë burimin kryesor të jetesës për shumë familje dhe janë trashëgimi që synojnë t’ua lënë brezave të ardhshëm. Ata kërkuan nga institucionet shtetërore më shumë transparencë dhe një proces të drejtë kompensimi për të gjithë qytetarët e prekur nga projekti.
“Ne nuk jemi kundër korridorit dhe zhvillimit, por kërkojmë që toka të vlerësohet sipas çmimit real. Kjo është tokë bujqësore e kategorisë së parë dhe nuk mund të paguhet me 3 apo 4 euro për metër katror”, u shprehën protestuesit.
Banorët apeluan deri te Qeveria dhe deputetët që të shqyrtojnë kërkesat e tyre dhe të gjejnë një zgjidhje që garanton kompensim të drejtë për pronarët e tokave që do të shpronësohen për ndërtimin e Korridorit 8.
