Tony Blair sot mohoi se ka pasur ndonjë rol në përcaktimin e shumës prej 1 miliard dollarësh që vendet duhet të paguajnë për t’u bërë anëtare të përhershme të Bordit të ri të Paqes të Donald Trump, mes pikëpyetjeve nëse Mbretëria e Bashkuar do ta përballojë këtë kosto.
Ish-kryeministri britanik është emëruar në “bordin ekzekutiv themelues” të kësaj nisme ende në fazat e saj të hershme të presidentit amerikan.
Trump deklaroi të premten se krijimi i këtij organi përbën një “hap jetik” në zbatimin e Planit të tij Gjithëpërfshirës me 20 pika për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza.
Megjithatë, kritikët kanë hedhur dyshime se Bordi i Paqes mund të synojë zëvendësimin e Kombeve të Bashkuara.
Sipas një draft-kartë të Bordit të Paqes, e raportuar fillimisht nga Bloomberg, çdo shtet anëtar do të ketë një mandat maksimal trevjeçar, përveç rasteve kur kontribuon me 1 miliard dollarë brenda vitit të parë, çka i siguron anëtarësi të përhershme.
Një zyrtar amerikan i konfirmoi Daily Mail se nuk ekziston detyrim për të paguar këtë shumë, por vendet që kontribuojnë përfitojnë status të përhershëm, në vend të mandatit të kufizuar trevjeçar.
Zyrtarët thanë se fondet e mbledhura nga bordi synohen të përdoren për financimin e përpjekjeve të administratës amerikane për rindërtimin e Gazës.
I pyetur nëse Sir Tony Blair ishte në dijeni të kësaj tarife për anëtarësinë e përhershme, një zëdhënëse u shpreh: “Ai nuk është i përfshirë në përcaktimin e anëtarësisë së Bordit të Paqes. Ai do të angazhohet në zbatimin e planit të paqes për Gazën, i cili është miratuar nga OKB-ja, në një rol të papaguar.”
Në kartën themeluese, Bordi i Paqes përshkruhet si “një organizatë ndërkombëtare që synon të promovojë stabilitetin, të rivendosë qeverisje të besueshme dhe të ligjshme, si dhe të sigurojë paqe të qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti”.
Trump ka deklaruar se do të shërbejë si kryetar i bordit dhe, në këtë cilësi, do të ketë kontroll mbi fondet. Burime të afërta me strukturën i thanë Bloomberg se disa shtete e kanë kundërshtuar fuqishëm draftin.
Misioni i Bordit të Paqes ngjan me atë të Kombeve të Bashkuara, ndërsa kritikët shprehin shqetësimin se Trump po përpiqet të krijojë një alternativë që do ta zëvendësonte këtë organizatë ndërkombëtare.
Edhe pse nisma fillimisht u paraqit si një përpjekje për t’i dhënë fund luftës në Gaza, letrat e dërguara udhëheqësve botërorë sugjerojnë se Bordi i Paqes synon të ketë një rol më të gjerë në zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare.
“Kjo është një rrugë e shkurtër e Shteteve të Bashkuara për të ushtruar fuqinë e vetos në çështjet globale,” deklaroi për Associated Press Daniel Forti, drejtues i çështjeve të OKB-së në International Crisis Group.
Një zyrtar amerikan i sqaroi Associated Press-it se Bordi i Paqes nuk synon të zëvendësojë Kombet e Bashkuara, por theksoi se ai mund të shërbejë si një mjet për të nxitur veprim konkret nga liderët ndërkombëtarë.
Megjithatë, dy diplomatë i thanë Reuters se letra dërguar krerëve të shteteve e përshkruante Bordin e Paqes si një “qasje të guximshme për zgjidhjen e konflikteve globale”.
“Është një ‘OKB e Trump-it’, që injoron parimet themelore të kartës së OKB-së,” e përshkroi një diplomat këtë nismë për Reuters.
Bordi i Paqes për Gazën do të funksiononte nën ombrellën e Bordit të Paqes. Si kryetar, Trump do të kishte gjithashtu të drejtën të vendoste se kush do të ftohej si anëtar, të miratonte vulën zyrtare të organizatës dhe të kishte fjalën përfundimtare në të gjitha çështjet e votimit, sipas draft-kartës.
Ndërsa Bordi i Paqes do të merrej me çështje më të gjera të paqes ndërkombëtare, Bordi Ekzekutiv për Gazën do të kishte si detyrë specifike rindërtimin e Rripit të Gazës./DailyMail
