Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në emisionin Click Plus në TV21, tha se është krenar për implementimin e sistemit të ri “Safe City” dhe se numri i shkeljeve është ulur në mënyrë drastike, përkatësisht nga 120 mijë sa ishte në fillim në fazën testuese, tani ka vetëm 500 shkelje.
Toshkovski theksoi se ka përfunduar koha e sjelljeve të rrezikshme dhe e vozitjes së shpejtë nëpër rrugë.
“Në fillim të periudhës testuese, numri i shkeljeve ishte 120.000, ndërsa sot kemi 500 deri në 600 shkelje, ndonjë ditë 700 apo 800, por gjithsesi një numër dukshëm më të ulët shkeljesh. Bëhet fjalë për shkelje për tejkalim të shpejtësisë së lejuar, kalim në semafor të kuq ose drejtim të mjetit motorik të paregjistruar. Këto janë shkeljet që i konstaton sistemi. Në të ardhmen do ta implementojmë edhe për ndalime të gabuara dhe parkime të gabuara. Nuk ka person që drejton mjet motorik në Shkup dhe që nuk i sheh përfitimet e këtij sistemi inteligjent. Nuk ka më sjellje të çrregullta nëpër rrugë, nuk ka më shpejtësi të çmendura, dhe kjo vërehet. Nuk ka më atë intolerancë. Numri i aksidenteve po zvogëlohet, numri i të lënduarve dhe i të vdekurve po ashtu po zvogëlohet; qëllimi që donim të arrinim ka marrë reagim shumë pozitiv nga publiku”, deklaroi Toshkovski.
