Sistemi “Safe City” do të zgjerohet në të gjithë vendin, ndërsa shkeljet në trafik do të regjistrohen dhe ndëshkohen automatikisht edhe përmes radarëve mobilë të vendosur në veturat e policisë. Këtë e bëri të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, duke paralajmëruar se implementimi i plotë i projektit pritet të përfundojë deri në mesin e vitit 2027.
Duke folur në “Kanal 5”, Toshkovski tha se në automjetet e policisë do të instalohen kamera inteligjente me radarë, të cilat do të regjistrojnë automatikisht kundërvajtjet në trafik, si në zonat urbane ashtu edhe në rrugët e hapura.
Futja në përdorim e këtyre pajisjeve do të bëhet në faza, përmes pajisjes së automjeteve dhe trajnimit të policëve.
Ministri theksoi se sistemi nuk ka për qëllim vetëm ndëshkimin e shoferëve, por mbi të gjitha parandalimin e aksidenteve dhe shpëtimin e jetëve të njerëzve.
Sipas tij, gjatë 35 viteve të fundit në Maqedoni, mesatarisht kanë humbur jetën nga 150 persona në vit në aksidente trafiku, ndërsa këtë vit, deri në ditën e deklaratës së tij, janë regjistruar 85 viktima.
Sa i përket parkimit të parregullt, Toshkovski paralajmëroi se sistemi do të vihet në funksion deri në fund të këtij viti. Megjithatë, në këtë rast evidentimi i shkeljes nuk do të bëhet plotësisht automatikisht, por do të kërkohet konfirmimi nga një zyrtar policor, pasi kamerat nuk mund të dallojnë me saktësi të plotë parkimin e parregullt nga ndalimi për shkak të kolonave në trafik.
Kontrollet do të përqendrohen kryesisht në bulevardet kryesore të Shkupit dhe qyteteve të tjera, veçanërisht në rrugët ku qarkullojnë autobusët.
Toshkovski bëri të ditur gjithashtu se nga java e ardhshme qytetarët do të mund të përdorin një aplikacion mobil për të kontrolluar nëse kanë ndonjë kundërvajtje të regjistruar dhe për të paguar gjobat.
Ndërkohë, zgjerimi i “Safe City” do të zhvillohet në disa faza: SPB Strumicë pritet të përfshihet në gjysmën e parë të muajit të ardhshëm, SPB Shtip deri në fund të vitit ose më së voni në fund të janarit, ndërsa SPB Shkup deri në fund të shkurtit.
Ministri paralajmëroi edhe zgjerimin e kontrolleve në pikat kritike të trafikut, si dhe vënien në funksion deri në fund të vitit të pikës për kontrollin e automjeteve në vendkalimin kufitar Bllacë.
