Pesë persona kanë humbur jetën dhe 10 të tjerë kanë mbetur të lënduar rëndë në dy aksidente të mëdha zinxhir, që ndodhën të martën në mëngjes në autostradën “Trakia” në Bullgarinë juglindore, përcjell TV21. Në aksidente janë përfshirë dhjetëra automjete, mes tyre vetura, furgonë, autobusë dhe kamionë të rëndë.
Pas aksidenteve është aktivizuar sistemi i alarmimit emergjent BG-Alert, ndërsa në vendngjarje janë mobilizuar policia, zjarrfikësit dhe ekipet mjekësore nga katër rajone: Jambolli, Slliveni, Burgasi dhe Stara Zagora.
Për ndihmë në operacionin e shpëtimit është angazhuar edhe ushtria bullgare. Një avion ushtarak “Spartan” ka ateruar në aeroportin e Burgasit dhe është në gatishmëri për transportimin e të plagosurve në gjendje kritike drejt spitaleve në Plovdiv dhe Sofje.
Aksidenti i parë është raportuar rreth orës 07:10, në kilometrin e 289-të të autostradës, në drejtim të Burgasit. Pak minuta më vonë, është raportuar edhe një tjetër përplasje zinxhir në korsinë e kundërt, në drejtim të Sofjes.
Dyshohet se shkak i aksidenteve ka qenë mjegulla e dendur, e cila ka zvogëluar ndjeshëm dukshmërinë. Disa shoferë e kanë përshkruar mjegullën si “të trashë si qumështi”.
Autostrada “Trakia” është mbyllur në të dy drejtimet, në segmentin mes nyjeve Zimnitsa dhe Kabile. Trafiku po devijohet përmes rrugëve alternative./BGNES
