Festa përfundoi në tragjedi sot në Cetinje të Malit të Zi.
Numri i të vdekurve ka shkuar në shtatë, ndërsa policia është në kërkim të të dyshuarit, Aco Martinoviç.
Këto janë të dhënat e para të policisë nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që, numri i viktimave mund të rritet.
Martinoviç ka filluar të shtënat me armë në kafenenë “Velestovo”, afër Qendrës Sportive.
Për vijesti.me, dëshmitarët kanë deklaruar se brenda lokalit kishte pasur përleshje, pas së cilës burri që po kërkohet ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar drejt viktimave.
Policia ka kërkuar nga qytetarët e Cetinjes që të jenë të qetë dhe të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.
“E njoftojmë publikun se kjo është një ngjarje çasti, nuk është pasojë e ndonjë konflikti midis grupeve të organizuara kriminale me rrezikshmëri të lartë. Për ta zgjidhur këtë situatë emergjente, janë dërguar njësitë speciale të policisë”, thuhet në një njoftim të policisë.
Të gjitha njësitë e policisë janë në terren dhe po punojnë për arrestimin e autorit të krimit.

