Andi Murati është i riu që humbi jetën të dielën e 13 tetorit në autostradën “Ibrahim Rugova”, pak kilometra larg doganës së Morinës.
I riu me origjinë nga Peja ishte duke udhëtuar me motor kur humbi kontrollin dhe u përplas me trafikndarëset.
Mediat e Kosovës raportojnë se viktima është djali i doktorit të njohur në Pejë, dr.Sheka.
Këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha, ku njoftoi se mjekët kanë konstatuar vdekjen e tij në vendin e ngjarjes.
“Me datë 13.10.2024 rreth ores 14:40, është pranuar informata se në Autostraden “Ibrahim Rugova” Km-3; drejtimi Prizeren Jug-Vermicë është shkaktuar një Vet-Aksident trafiku me Motor. Njesitë policore për kontroll të autostrades, përfshirë edhe njesinë e hetimeve kanë dal ne vendin e ngjarjes për procedura të nevojshme hetimore. Mjekët kujdestar kanë konstatuar se personi ka qenë pa shenja jete” ka thënë Hoxha.
Ai ishte i apasionuar pas motorëve dhe kjo “dashuri” i mori jetën.
“Andi e deshi aq shumë motorin, saqë ai u bë pjesë e pandashme e jetës së tij. Fatkeqësisht, pikërisht pasioni i tij më i madh i mori dhe jetën. Edhe pse Andi nuk është më mes nesh, dashuria e tij për motorët dhe kujtimet e bukura që la pas do të mbeten gjithmonë të gjalla në zemrat tona.”, shkruajnë ata që e njihnin Andin në rrjetet sociale.
